Dy persona janë arrestuar në Korçë, pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Shtetasi Gentiana Lipo dhe Klorent Larti akuzohen për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Sakaq është shpallur në kërkim shtetasit Kostandin Ziu pasi akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri 187”.
Vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë, njëri nga të cilët nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë dhe i kundërshtoi me dhunë ata, gjatë kryerjes së detyrës. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit “Perimetri 187”, goditën një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– G. L., 18 vjeçe, banuese në Maliq, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim;
– K. L., 38 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë (me precedent të mëparshëm penal për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për vjedhje me dhunë), për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi K. Z., 23 vjeç, banues në Bilisht, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se një shtetas do të transportonte me një automjet tip “Rang Rover”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin rrugor Korçë-Maliq bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin K. Z., të cilit i bënë shenjë të ndalonte. 23-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre, por ka ndërruar drejtimin e lëvizjes dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Korçës. Në afërsi të kryqëzimit të fshatit Çiflig, Korçë, për shkak të shpejtësisë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur rrethues, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. Z., pasi ka vënë re se ishte akoma nën ndjekjen e Policisë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet nga vendngjarja. Në automjetin e braktisur u gjetën shtetasja G. L., e cila u arrestua nga Policia, si dhe 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua edhe shtetasi K. L., i cili është afruar në vendin e ngjarjes dhe është konfliktuar me punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së detyrës, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për t’u larguar dhe duke i kundërshtuar me dhunë ata. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. L. dhe shtetasi K. L. janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Po vijon puna për kapjen e shtetasit K. Z. dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.