Vladimir Putin është shprehur qartësisht mbi një skenar të një lufte të mundshme bërthamore dhe përshkallëzimi të konfliktit në Ukrainë, duke thënë se “asnjë fitues” nuk do të kishte në një rast të tillë, ndaj dhe nuk duhet shkuar në këto përmasa.
Në një letër të dërguar pjesëmarrësve të një konference mbi një traktat që po zhvillohet në New York, Putin shkruan se Rusia është e qartë në qëllimet e saj dhe luftën bërthamore, e përjashtoi nga synimet.
“Ne nisemi nga fakti se luftërat bërthamore nuk kanë fitues, ndaj dhe nuk duhen lëshuar asnjëherë armët bërthamore. Jemi të vendosur të qëndrojmë për sigurinë e pashkëputur të gjithë popullatës botërore”, shkruan kreu i Kremlinit në letër.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se një skenar i përdorimit të armëve bërthamore, është veçse një përllogaritje e gabuar larg, duke lënë shteg të mendohet se diçka e tillë mundet realisht t’i kanoset botës.
“Një përllogaritje e gabuar, një mosmarrëveshje e vetme dhe bota mund të shkatërrohet me luftë bërthamore”, shtoi Guterres gjatë një deklarate të tij për shtyp.
Një plan për të ndërmarrë nisma për zhdukjen totale të armëve bërthamore po diskutohet nga shtete që i zotërojnë ato, me shpresën se një zgjidhje e qenësishme do të gjendet për këtë fenomen.
Gjithsesi, është po aq e vërtetë se Moska i ka vënë armët e saj bërthamore në gatishmëri që javën e parë pas fillimit të agresionit në Ukrainë, nën pretendimin se po merr akte vetëmbrojtëse.
Me retorikën e fundit të Putinit, bie në sy fakti se ai e përjashton tërësisht skenarin e një shfarosjeje masive bërthamore.