Disa kohë më parë sheshi dhe e gjithë hapësira përreth te lulishtja e tre vëllezërve Frashëri, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, u rrethua me llamarina.
“Gojët e liga” filluan të flasin se edhe aty vendit i kishte “dalë pronari” dhe se do të ngrihej një tjetër shumëkatësh i shëmtuar që do t’i zinte frymën kryeqytetit.
Por pas disa kohësh punë, dhe pasi kantierit iu hoq rrethimi me llamarina që pengonte syrin të shikonte se çfarë po ngjante, të gjithë mbetën pa fjalë.
Pranvera kishte sjellë një “lule” të madhe në mes të Tiranës. Fotot që sjellim sot, nuk janë një reklamë, por një provë e një gjëje të bukur që është bërë në këtë qytet, ku çdo gjë duket sikur shkon për mbrapsh.
Ajo që është ndërtuar në atë shesh i ka shtuar bukurinë vendit dhe e ka bërë një prej hapësirave më të bukura të Tiranës vendin që nga të gjithë njihet si parku i “tre vëllezërve Frashëri”.
/Priza.al/