Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Alban Menerin, i cili i mori jetën fqinjit të tij Nikolin Stakës, pasi e goditi me grushte.
Mësohet se autori përpara togave të zeza 51-vjeçari nuk e ka mohuar konfliktin por është shprehur se ai ka qenë në gjendje të dehur. Kujtojmë se Nikolin Staka ndërroi jetë si pasojë e hemorragjisë, si dhe trupi i pajetë është gjetur nga pronari i shtëpisë. 51-vjeçari akuzohet se ka pasur gjithmonë konflikte me komshinjtë e tij, pasi pretendonte pronësinë e një hapësire që përdorej për parkim nga ana e banorëve, arsye për të cilin kishte nisur edhe sherri me parukieren përballë pallatit, zënkë e cila solli reagimin e Stakës dhe më pas përplasjen fizike mes tij dhe Menerit.
Nga ballkoni i banesës përballë, ka ndërhyrë Nikolin Staka dhe i ka thënë: ‘Çfarë bën, nuk të vjen zor që zihesh me gra’, ndërsa Meneri iu kundërpërgjigj: ‘Zbrit poshtë se ta tregoj unë’. Pasi janë takuar në sheshin poshtë pallatit, Mëneri e ka qëlluar me grushte në kokë, fytyrë dhe qafë Nikolinin dhe ka ikur nga vendi. Ditën tjetër, pra ditën e djeshme 56-vjeçari Staka është gjetur i pajetë në banesën e tij.