Historitë e thesareve të groposura dhe anijeve të mbytura kanë magjepsur qytetarët ndër shekuj, nga tregimet e piratëve deri te filmat e suksesshëm të Hollivudit. Megjithatë, për një ekip eksploruesish, legjenda u bë realitet kur zbuluan një gamë artefaktesh nga një anije spanjolle e fundosur e cila rezulton të jetë 350-vjeçare.
Sipas CNN, ata gjetën sende me vlerë si monedha, gurë të çmuar dhe xhevahire që dikur i përkisnin “kalorësve” të detit.
Nuestra Señora de las Maravillas (ose Zoja e Çudirave) u mbyt në vitin 1656 pasi u përplas me një varkë tjetër nga flota e saj pranë Bahamas. Anija mbante një ngarkesë thesari, disa prej të cilave ishin të rezervuara si taksë mbretërore për Mbretin Filip IV, nga Kuba në Sevilje, Spanjë.
Anija prej 891 tonësh përmbante më shumë ngarkesë se zakonisht, pasi ishte ngarkuar edhe me transportin e thesarit të marrë nga një anije tjetër që ishte fundosur dy vjet më parë.
Ka pasur tashmë disa përpjekje të suksesshme për të tërhequr ngarkesën e anijes, me pothuajse 3.5 milionë artikuj të gjetur midis viteve 1650 dhe 1990.
Por zbulimet e fundit, të cilat do të shfaqen këtë muaj në Muzeun e ri Detar të Bahamas , ofrojnë një pasqyrë të re për jetën në bordin e anijes. Duke punuar me zhytës vendas, arkeologë dhe ekspertë të tjerë, studiuesit janë gjithashtu në procesin e “rindërtimit të misterit se si anija u shkatërrua dhe u copëtua”, tha në një deklaratë për shtyp arkeologu detar i projektit James Sinclair.