Kreu i PD-së Sali Berisha po zhvillon mbrëmjen e sotme një takim me intelektualë të fushave të ndryshme në Vlorë, ku ka thënë se gjendja e turizmit është e vështirë dhe shumë biznese po hasin rrezikun e falimentit.
Gjithashtu kryedemokrati ka deklaruar se prej investitorëve në turizëm po mendojnë shitjen e bizneseve të tyre për të shpëtuar nga falimentimi
Berisha: Sektori i turizmit po falimenton. Arrijmë në përfundimin shumë të hidhur se edhe kjo pasuri e pakrahasueshme, mahnitëse kombëtare, po shndërrohet në një mallkim për shqiptarët. Sot, ky vit është me kapacitete të boshatisura si asnjëherë më parë. Ata që investuan mundin dhe djersën e tyre në kapacitete turistike, këtë vit, shumë prej tyre mendojnë si t’i shesin, si të shpëtojnë nga falimentimi dhe barra e tyre. Nuk ka një sektor tjetër ekonomik që është tmerrësisht i rëndësishëm, punëson mbi çerek milionë qytetarë me anekse dhe të tjera është gjenerator kryesor, por ja ku jemi. Kapacitetet në korrik ishin as gjysmë për gjysmë të shfrytëzuara. Kapacitetet shfrytëzoheshin kryesisht në fundjavë.Por krahaso ti një investitor në Vlorë, apo në Durrës që të shfrytëzojë kapacitetet e tij dy ditë në javë, në një kohë kur homologu i tij në Greqi apo Turqi i shfrytëzon 5-6 muaj.