Ditën e sotme në orën 19:00 pritet të të zhvillohet protesta përpara Ministrisë së Brendshme për ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë.
Protesta u iniciua nga shoqëria civile, ndërkohë kësaj proteste pritet t’i bashkohet edhe opozita.
Mësohet se në protestë do të kërkohet largimi i ministrave Blendi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.
Ndërsa ambasada amerikane ka dalë me një njoftim për qytetarët e saj. Ajo u kërkon që të bëjnë kujdes dhe të shmangin grumbullimet e mëdha.
“Ndërsa shumë tubime të mëdha mund të jenë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shumë shpejt dhe në mënyrë të paparashikuar,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Qytetarëve amerikanë u kërkohet që të monitorojnë median lokale dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit.
Kujtojmë se të martën e 2 gushtit humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u përplas nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.