Komisioneri i Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, është shprehur sot se potencialisht mund të vazhdojë përpara me bisedimet me Shqipërinë mbi anëtarësimin në BE, edhe kur negociatat me Maqedoninë e Veriut të ngecin. Kërkesat e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, janë prezantuar gjithmonë bashkë, me të dy kombet që përgatiten për negociata për të filluar në binarë paralele.
Por kërkesa e Maqedonisë së Veriut aktualisht është e bllokuar nga Bullgaria, dhe Várhelyi sugjeroi që kjo situatë mund të ndryshohet. “Nëse hasim përsëri në vështirësi me Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se ne jemi të pasuksesshëm për të bindur Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për një zgjidhje të pranueshme reciproke, atëherë pyetja është nëse mund të shkojmë përpara vetëm me Shqipërinë. Dhe ne do të na duhet ta shqyrtojmë këtë pyetje”, tha ai.
I pyetur nëse një “shkëputje” zyrtare ishte një opsion, ai u përgjigj: “Mund të jetë një opsion, po”.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin planifikuar të fillonin bisedimet për anëtarësimin në BE, derisa procesi u bllokua në 2019 nga Franca dhe Hollanda, të cilat kanë qenë kundër pranimit të anëtarëve të rinj nga Ballkani Perëndimor.
Por ‘Euronews’ zbuloi në fillim të këtij muaji se Brukseli po planifikonte një shtytje të re për Shqipërinë për t’u bashkuar bllokut, me Ditmir Bushatin, ish Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke thënë se një plan mund të diskutohej në një konferencë ndërqeveritare në qershor.
Nga një sondazh i fundit i Komisionit Europian, rezulton se opinionet brenda Shqipërisë për t’u bashkuar me BE-në janë pothuajse unanime, dhe zbulon se 97% të shqiptarëve janë në favor.
Në zgjedhjet e fundit të vendit, asnjë nga palët nuk ka kundërshtuar anëtarësimin në BE, por vetëm kanë kritikuar rivalët e tyre për vonesat e procesit.