Inceneratorët/ PD: Janë ‘grabitur’ 430 milionë euro, drejtësia nuk vepron

Partia Demokratike ka denoncuar sërish aferën e inceneratorit në Elbasan.

Përmes një deklarate për mediat nënkryetari i PD, Luçiano Boçi u shpreh se përmes inceneratorëve, kryeministri Edi Rama ka përfitua 430 milion euro.

Sakaq shton se këto para, Rama i ka ndarë me grupin kriminal, si dhe drejtësia nuk po vepron.

Deklarata e plotë:

Edhe sipas kontratës korruptive që Edi Rama ka miratuar, në kundërshtim me qëndrimin e Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP), Inceneratori do të duhet të ishte funksional dhe në pronësi publike qysh prej një viti.

Ja edhe disa pyetje fare të thjeshta:

Pse Edi Rama miratoi kontratën me treshen seksere Gugallja-Mertiri-Zoto, ndonëse APP i shkruajti troç se kjo ishte procedurë e kundraligjshme?

Çfarë karakteristikash ka inceneratori? Shihni çfarë shkruhet ne Fletoren Zyrtare të Shtetit: Karakteristikat do i keni ne aneks. POR shihni aneksin e Fletores Zyrtare: A ka ndonje fjalë të kuptueshme? Edhe kur blen një makinë të thjeshtë të thuhet sa kuaj fuqi ka dhe sa gazra emëton, ndërsa për këtë impiant asnjë fjalë. PSE?

Për t’iu referuar paraleles së hequr nga kryebashkiaku “Të bësh remontin e djegësit është si të çosh makinë në servis”, kush e çon makinën në servis shumëmujor qysh vitin e parë që e merr? Si u bë për remont pa filluar ende nga puna?

Me paratë e kujt po bëhet remonti? Pse nuk parashikohet remonti ne kontratë dhe pse është marrë një pajisje që ka nevojë direkt për remont?

Ky do duhej të ishte incenerator rajonal. A pyeti ndokush bashkitë e tjera të qarkut? Kush do paguajë paratë tani që çmimi i naftës u dyfishua?

Partia Demokratike denoncon për të disatën herë mega-aferën e inceneratorëve si një vepër korruptive ku Rama, Ahmetaj, Agaçi, Veliaj, krijuan grup të strukturuar kriminal me qëllimin për të përlarë 430 milion euro së bashku me sekserët Zoto-Gugallja-Mertiri.

Ndaj nuk pyetën as për ligj, as për procedura dhe 8 vite më pas asnjë incenerator nuk funksionon. Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por të pamundura për drejtësinë e kapur nga Rama.

Ne mendojmë se inceneratorët janë mega-aferë ku Edi Rama ndan paratë me Agaçin, Ahmetaj, Veliajn, Zoton, Mërtirin dhe Gugallen, ndaj nuk ndalohen pagesat dhe ndaj drejtësia nuk sekuestron produktet e krimit.

Po ju të dashur shqiptarë, si mendoni?

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *