Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës. LSI kërkon që të shpallen të pavlefshme në Bashkinë Dropull, gjë që ndikon në rezultatin e gjithë qarkut. Argumenti që ka përdorur LSI për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës është përjashtimi nga e drejta për të votuar i minoritarëve, për shkak të vendimit të Komitetit të Ekspertëve për karantinën e detyrueshme të emigrantëve.
Në këto zgjedhje, në qarkun e Gjirokastrës për LSI kandidonte Vangjel Tavo, i cili nuk arriti që të merrte mandatin e tij. Në këtë qark, PS arriti që të merrte 3 mandate, ndërsa PD-ja 1.
LSI kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë e Dropullit në qarkun e Gjirokastrës, dhe duke qenë se kjo pavlefshmëri ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Gjirokastrës, shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në të gjithë qarkun e Gjirokastrës.