Minuta tmerri kanë qenë ato me të cilat është ndeshur familja Avdia, e cila ishte akomoduar në Potam një ditë përpara tragjedisë në të cilën humbi vajzën e vogël, Jonadën, 7 vjeçe. Nga Policia e Vlorës mësohen detaje nga fashikulli i referuar, që ka nën akuzë tanimë një zyrtar policie si Arjan Tase, i dyshuar për vrasje me dashje indirekte. Babai i Jonadës, Bledar Avdia tregon se mëngjesin e ditës tragjike ata gjendeshin në plazh familjarisht.
“Rreth orës 14:00, ndërsa isha duke u larë së bashku me vajzën në afërsi të bregut, pashë një skaf me ngjyrë të bardhë, me dy persona në bord. Skafi parkoi në bregun e plazhit pranë një hoteli dhe pashë që prej andej zbriti një vajzë”.
Babai i Jonadës, kujton se në vazhdim, për pak çaste pa që një grua me dy fëmijë hipën në skaf dhe se drejtuesi i skafit kaloi pa asnjë problem litarin me piketa dhe ishte duke lundruar në drejtim të tyre. Aty ku ai gjendej me të bijën në momentet e fundit të jetës së saj.
“Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi skëterrë dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe mjeti lundrues goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e prerë në të gjithë trupin. Pashë që mjeti u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin dhe duke ardhur në breg”, – tregon Bledar Avdia.
Fëmija, sipas ekspertëve kriminalistë pësoi dëmtime të shumta në trup, në kokë, në sup, bark, gjoks dhe brinjë dhe në gjymtyrët e poshtme. Policia thotë se siguroi edhe dëshmi të tjera të pushuesve, që i ka bashkangjitur kundër Tases, komisar policie që ishte kthyer në detyrë pak kohë pasi ishte hetuar për shpërdorim detyre në afera kanabisi.
Shtetasja S.M., thotë sipas burimeve tepër të sigurta, se dëgjoi njerëzit duke bërtitur. “Situata doli nga kontrolli. Pashë që skafi goditi vajzën e vogël dhe babai i vajzës bërtiste që ta ndalonte. Pashë njolla gjaku që krijuan vija deri në kapakun e motorit”, – thotë ajo.
Edhe kushëriri i Jonadës, rrëfen në polici. Ai thotë: “Po laheshim në det dhe një mjet lundrues i madh u afrua. Në kohën që mjeti mori njerëz në breg, goditi fëmijën me helika. Unë dhe të gjithë njerëzit që ishin në breg bërtisnim: “Ndalo se e vrave”. Por mjeti lundrues vazhdoi të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Hyra dhe e nxora Jonadën e pajetë. Ishte pa asnjë shenjë jete”.
Prokuroria e Vlorës, bëhet me dije se replikon me qëndrimin e policisë, që e referoi për vrasje nga pakujdesia.
“Kjo vepër shfaqet në formën e pakujdesisë dhe të neglizhencës apo vetëbesimit të tepruar. Në rastin konkret, vdekja e Jonadës ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për lejimin dhe kalimin e mjeteve lundruese”.
Kjo qasje e prokurorisë sjell përplasjen e radhës me policinë lokale, që ndonëse ka kryer veprimet paraprake, e referoi për një vepër më të lehtë, e cila u kundërshtua.
Polici Arjan Tase, me detyrë punonjës policie, ka në objekt të punës së tij zbatimin e ligjit, edhe pse ditën e ngjarjes ishte me leje vjetore. Ai hyri në një zonë ku kishte fëmijë, akuzon prokuroria komisarin, i cili shërbente deri ditën e tragjedisë si shef i komunitetit në Policinë e Elbasanit./gazetasi