Qeveria amerikane shpalli gjendjen e emergjencës shëndetësore për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me linë e majmunëve. Sipas zyrtarëve shëndetësorë rastet kanë arritur në 6.600 në SHBA në dy muajt e fundit. Sekretari i shërbimeve shëndetësire, Xavier Becerra deklaroi më 4 gusht se ky vendim pritet që të bëjë të mundur lëvrimin e fondeve shtesë dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen. Becerra deklaroi se Shtetet e Bashkuara “janë të gatshme ta çojnë në një nivel tjetër kundërpërgjigjen ndaj virusit dhe i bëjnë thirrje popullit amerikan që ta marrë seriozisht linë e majmunëve.”
Sipas të dhënave të publikuara më 4 gusht, numri i rasteve ka arritur në 6.600 në SHBA dhe shumica e tyre janë regjistruar në meshkuj që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj të tjerë. Ndryshe nga periudha kur COVID-19 u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019-të, për linë e majmunëve ekzistojnë vaksina dhe trajtime të disponueshme.
Vendimi i qeverisë amerikane vjen dy javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli linë e majmunëve “një emergjencë globale të shëndetit publik”, niveli më i lartë i alarmit. OBSH-ja tha më 23 korrik se lija e majmunëve, e cila ka ekzistuar në disa rajone të Afrikës për dekada, është përhapur me shpejtësi përreth globit që nga muaji maj, duke prekur mijëra persona në më shumë se 70 shtete./rel