I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.
Escobar tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të enjten ripërsëriti se Kosova duhet ta themelojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Themelimin i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është dakorduar me dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar në parlamentin e Kosovës dhe Kosova duhet t’i plotësojë obligimet ligjore dhe ta implementojë pa vonesa”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit.
Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore të Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton një asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia insiston në krijimin e tij.
Më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, dhe Escobar tha se shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.