Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 25 vatra zjarri, ku vetëm 9 prej tyre janë aktive.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri. Nga të cilat janë shuar 16 vatra dhe konkretisht:
në fshatin Bushat, bashkia Vau-Dejës,
në fshatin Kucok, bashkia Durrës,
në fshatin Karpen, bashkia Shijak,
në fshatin Skuraj, bashkia Kurbin,
në fshatin Rehovë, bashkia Polican,
në fshatin Donofrosë, bashkia Dimal,
në fshatrat Moravë dhe Lapardha të bashkisë Berat,
në fshatin Seman, bashkia Fier,
në fshatrat Dragot dhe Deshiran të bashkisë Belsh,
në fshatin Laknas, bashkia Kamëz,
në fshatin Llaman, bashkia Himarë,
në fshatin Salari, bashkia Tepelenë,
në fshatin Bajkaj, bashkia Delvinë,
në fshatin Gosë e Vogël, bashkia Rrogozhinë.
Në operacionet e shuarjes së vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 408 forca operacionale, të Shërbimit te Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi , Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 37 mjete zjarrfikëse.
Aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit në:
- Në Bashkinë Shkodër, në vendin e quajtur “Maja e Zorgjit” në fshatin Ndërlysaj, i cili vijon prej disa ditësh, me gjithë ndërhyrjen forcat të Administratës së Zonave të Mbrojtura nuk është bërë e mundur fikja e zjarrit. Ditën e sotme operacioni mbështetet dhe me 40 efektive nga Forcat e Armatosura.
- Në Bashkinë Mat, në fshatin German. Operacioni në ketë vatër zjarri ka disa ditë që zhvillohet nga forcat bashkiake, zonat e mbrojtura, forcat zjarrfikëse, forcat pyjore, të mbështëtur nga Forcat e Armatosura. Janë shuar disa vatra zjarri të cilat kanë qënë me përmasa të mëdha. Operacioni është në vijim.
- Në Bashkinë Durrës, në fshatin Shetaj ku janë disa vatra zjarri. Nga bashkia Durrës po vijon puna për ndërtimin e rrugëve të kalimit me qëllim afrimin e mjeteve zjarrfikëse sa më afër vatrave të zjarrit. Ditën e djeshme janë fikur disa vatra zjarri me mbështetjen dhe të Forcave të Armatosura. Operacioni për fikjen e zjarrit vazhdon.
- Në Bashkinë Krujë, fshatin Zezë ka rënë zjar në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse dhe të bashkisë po punojnë për shuarjen e tij.
- Në Bashkinë Kurbin vijojnë aktive vatrat në fshatin Mali i Bardhë, intensiteti i të cilit është i rritur si rezultat i erës së fortë. Strukturat e bashkisë dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë operacionin.
- Në Bashkinë Mirditë, vazhdon të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatin Bulshar. Shërbimi zjarrfikës dhe forcat e bashkisë ka punuar dhe kanë shuar disa vatra zjarri. Operacioni ka filluar që në orët e para të mëngjesit.
- Në Bashkinë Mirditë, në fshatin Valçe ditën e djeshme u përfshi nga zjarri një sipërfaqe me pyll lisi. Menjëherë u angazhuan forcat e shërbimit zjarrfikës, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë.
- Bashkia Himarë, Porto Palermo, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, për shuarjen e së cilës janë angazhuar menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës të cilat kanë bërë të mundur vënin në kontroll.
- Në fshatin Cërricë, bashkia Skrapar, po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve për një kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura të larta në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret.
Kujtojmë se zjarr vënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit.
Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër.