Një ditë pas asaj që mund të konsiderohet me plot gojë një masakër policore, banorët në favelat e Rios janë ngritur në protesta kundër dhunës shtetërore.
Në qytetin më të njohur të Brazilit, Rio de Janeiron, forcat speciale të policisë bënë një betejë e përgjakshme që tronditi të madh dhe të vogël, në një kohë që autoritetet nxituan të mburren se blici policor arriti të eliminojë me sukses dhjetëra kriminelë.
Por rezidentët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se, forcat e rendit e kaluan masën, duke bërë një masakër të vërtetë me pretekstin se po qëllojnë kriminelë.
Mbrëmjen e së enjtes, me dhjetëra policë mësynë lagjen e varfër të Jacarezinhos në veri të qytetit. Shënjestra e tyre ishin trafikantët e drogës së njërës prej organizatave më famëkeqe të krimit në vend, “Comando Vermelho”.
Luftimet lanë pas 25 të vdekur, një efektiv dhe 24 persona të përshkruar nga policia si “kriminelë”. Sipas analistëve megjithatë, pati një anomali në operacion më të përgjakshëm që ka ndërmarrë ndonjëherë policia e Rios.
Ai ngriti pikëpyetje të mëdha mbi shprehjen e njohur vendase: “Krimineli është i mirë vetëm i vdekur”. Një ndjenjë e zjarrtë për vendosjen e rendit dhe ligjit nxiti në 2018 suksesin presidencial të ish-kapitenit ushtarak, Jair Bolsonaro, i cili është dhe vetë nga Rio.
Ai grumbulloi mbështetje nga një pjesë e madhe e popullsisë, me thirrjet për të zvogëluar kufizimet ligjore në përdorimin e forcës vdekjeprurëse të policisë, kundër krimit.
Por dëshmitarë okularë nga Jacarezinhos thonë se, panë të qëlloheshin dhe njerëz të paarmatosur e flitet dhe për ekzekutime të mirëfillta, ndërsa për rivalin politik të Bolsonaros, ish-presidentin Luiz Inácio Lula da Silva, një operacion që shkakton kaq shumë vdekje, nuk mund të justifikohet me sigurinë publike.
/Burimi:BBC/ Përshtati: Priza.al/