Policia Kufitare e Kakavijës ka proceduar penalisht një shtetas italian, pasi gjatë një kontrolli rutin, iu gjet shuma e konsiderueshme prej 19450 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Gjithashtu shuma e para është sekuestruar nga Policia e Kakavijës.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen 19.450 euro, procedohet penalisht shtetasi italian i cili nuk deklaroi shumën e të hollave në PKK Kakavijë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin italian G. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 19.450 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. C., 53 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.