Timo Werner do të rikthehet në Bundesliga. Sulmuesi i kombëtares gjermane u transferua dy vite më parë nga Leipzig te Chelsea për 53 milionë euro, investim të cilin nuk ia ka dalë ta justifikojë plotësisht.
Vetëm 10 gola në dy sezone në Premier League dhe disa raste flagrante të humbura, pavarësisht se vjet fitoi Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve me ekipin e Thomas Tuchel.
26-vjeçari mori disa oferta, në Serie A e kërkoi edhe Juventusi, por ai ka zgjedhur të rikthehet te Leipzigu, klubi ku shpërtheu dhe siguroi një post në kombëtaren e Gjermanisë.
Sky Sport raporton se Werner ka arritur akordin me drejtuesit e Leipzigut, ndërkohë që bisedimet mes dy klubeve kanë qenë intensive dhe pozitive në ditët e fundit.
Sulmuesi do të huazohet te ish-klubi ku u aktivizua në vitet 2016-2020, që do të ketë mundësinë e blerjes së kartonit të tij në fund të sezonit për një shumë që akoma nuk bëhet e ditur.
Me rikthimin në shtëpi, Werner shpreson të rikthehet në formën më të mirë dhe të jetë gati për një rol si protagonist me “Pancerat” e Hansi Flick në Botërorin e Katarit (21 nëntor-18 dhjetor).