Optimizëm për përparim në bisedimet bërthamore me Iranin

Zyrtarët kryesorë të përfshirë në bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, thanë se janë optimistë lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.

Enrique Mora, negociatori kryesor i Bashkimit Evropian, tha se gjatë fundjavës ai ishte “absolutisht” optimist lidhur me përparimin e arritur deri më tani në bisedime.

“Ne po përparojmë dhe pres që të përmbyllim shumë shpejt bisedimet”, tha Mora më 7 gusht.

Ambasadori rus, Mikhail Ulyanov, tha se janë “tri-katër çështje” që kanë mbetur të pazgjidhura.

“Ne jemi pesë minuta ose pesë sekonda larg vijës së finishit”, tha Ulyanov për gazetarët pranë hotelit Palais Coburg, vendin ku po mbahen bisedimet.

Një përfundim i suksesshëm mund të arrihet “shumë shpejt, por nuk ka garanci. Si gjithmonë nuk mund të pajtohemi për asgjë derisa nuk pajtohemi për të gjitha”, tha ai.

“Këto çështje janë të ndjeshme, sidomos për iranianët dhe amerikanët”, tha Ulyanov. “Nuk mund të garantoj, por përshtypja është se ne po lëvizim në drejtimin e duhur”.

Negociatorët nga Irani, SHBA-ja dhe BE-ja rinisën bisedimet indirekte lidhur me marrëveshjen bërthamore më 4 gusht. Rundi i ri u zhvillua pas disa muajsh ngecje të bisedimeve.

Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore më 2018. Pas kësaj, Irani nisi që gradualisht të tërhiqet nga obligimet e marrëveshjes, duke pasuruar uraniumin.

Irani arriti marrëveshjen bërthamore më 2015 me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Britaninë, Rusinë dhe Kinën. Marrëveshja kufizonte pasurimin e uraniumit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahin, më 7 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ai i tha shefit të OKB-së se shteti i tij “është serioz në arritjen e një marrëveshjeje të fuqishme dhe afatgjate”. Por, ai shtoi se rezultati do të varet nëse SHBA-ja dëshiron të arrihet një marrëveshje.

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Iranin, Rob Malley, tha javën e kaluar se SHBA-ja është e përgatitur për përpjekje të mira për arritjen e një marrëveshjeje.

Ndërkaq, Britania, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar nga Irani që të “mos bëjë kërkesa jorealiste” në bisedimet që kanë për synim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *