Trafikantët ‘manipulojnë’ shqiptarët për të shkuar në Britani me gomone, para se të zgjidhet kryeministri i ri

Shqiptarët po mashtrohen nga trafikantët, për të udhëtuar sa më shpejt drejt Britanisë, përpara zgjedhjes së Kryeministrit të ri, sipas The Sun.

Media britanike shkruan se emigrantëve nga Shqipëria u thuhet se ardhja e një Kryeministri të ri po ndalojë të gjitha kalimet në kanal me një armadë patrullash.

Kontrabandistët kanë ulur gjithashtu çmimin për kalimin me gomone deri në 2.000 paund për person, krahasuar me 10.000 paund në muajt e kaluar. Ndërkohë çmimet për kalimin në Britani duke u fshehur në një kamion janë rreth 22.000 paund dhe rreziku për tu kapur është më i madh. Zbulimet vijnë pasi një raport i inteligjencës britanike zbuloi se 4 nga 10 persona që hyjnë në vend me gomone janë nga Shqipëria, pavarësisht se “aty s’ka pasur luftë në 25 vite”. Nëntë grupe trafikantësh qëndrojnë pas 2.863 emigrantëve që mbërritën në vend nga 1 qershori deri më 12 korrik. Prej tyre, 1.075 ishin shqiptarë.

“Shqiptarëve u thuhet se qindra njerëz do të patrullojnë Kanalin, bregdeti do ruhet me gardhe dhe ata do të kthehen dhe do të humbasin paratë e tyre”, tha një burim për The Sun.

“Kjo sipas tyre do ndodhë kur të vijë kryeministri i ri, është një gënjeshtër për të vazhduar këtë tregti. Shumë prej tyre vijnë për shkak të kushteve ekonomike që kanë. Ka një mënyrë për të aplikuar për të mbërritur në Britani dhe kjo s’është përmes kontrabandistëve të njerëzve”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *