Përpos shtimit të numrit të rasteve të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës, java e parë e muajit Gusht ka shënuar edhe një shtim të rasteve të fëmijë të prekur nga Omicron. Çdo ditë pranë Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit diagnostikohen “pozitivë” 3-4 fëmijë.
Lajmi bëhet i ditur nga Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin e Beratit, mjeku Vladimir Kumaraku, i cili konfirmon se kemi 3-4 raste të reja fëmijësh me “Omicron” çdo ditë, ndërkohë që 5 raste të rënda janë dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë dhe gjendja e tyre është përmirësuar.
Kumaraku konfirmon se “Omicron” ka një shpërndarje në të gjitha moshat pediatrike dhe zgjat mesatarisht 7-8 ditë. Kuadri klinik i fëmijëve të prekur me Omicron-ka thënë Kumaraku-është thuajse i njëjtë: temperaturë e lartë që shumë pak ndikohet nga antipiretikët në 3-ditët e para të virusit, dhimbje fyti, dhimbje muskulare, dhimbje koke, të vjella dhe diarre.
Një tjetër problematikë që vihet re gjatë 3 javëve të fundit tek fëmijët janë: intoksikimet dhe kafshimet e pickimet nga kafshë e insekte. Raste të shtuara ka edhe nga kafshimet e qenve, pickimet nga gjarpërinjtë, bletët e grerëzat dhe intoksikimet nga ushqimi në dasma.
“Problematika ka pasur edhe me intoksikimet dhe kjo më e shtuar pas ceremonive martesore, ku për shkak të ushqimit të pakontrolluar shumë fëmijë kanë mbërritur për ndihmë mjekësorë në Spitalin e Beratit por rastet nuk kanë qenë të rënda. 3-javët e fundit shumë fëmijë kanë mbërritur në Pediatrinë e Beratit me kafshime nga qentë dhe pickime nga bletët, grerëzat dhe gjarpri. Më shqetësuese janë rastet e kafshime nga qentë, që rezultojnë “qen rruge” dhe kafshimet prej tyre mund të shkaktojnë reaksione nga më të ndryshmet tek fëmijët, në varësi të sistemit të tyre imunitar”, ka thënë Kumaraku.
Çdo ditë rreth 50 fëmijë paraqiten për ndihmë mjekësore pranë Repartit të Pediatrisë Berat, ndërkohë që gjatë fundjavës numri i vizitave ka shkuar deri në 90 për faktin se ambulancat janë të mbyllura.