“Nuk duhet të prononcohemi për mediat, që Presidenti kështu e ashtu. Të jemi të kujdesshëm!”, Spartak Braho kërkon prova me video për Metën

Kuvendi ka miratuar dje me 97 vota pro, 6 vota kundër dhe 1 abstenim ngritjen e Komisionit Hetimor për të faktuar shkeljet e Presidentit. Sakaq, Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, po zhvillon sot mbledhjen e parë. Ky Komision pritet që të hartojë një raport për pretendimet e një grupi deputetësh, se Kreu i Shtetit ka shkelur Kushtetutën me thirrjet për dhunë.

Kryetari i Komisionit Alket Hyseni, tha se ky është rasti i parë ku 49 deputetë kanë bërë kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Gjithashtu ai theksoi se Komisioni do të hetojë nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u shprehur se përtej politikës, vendimet do të bazohen vetëm tek Kushtetuta.

“Sot paraqesim një plan paraprak, i cili nuk është përfundimtari. Në mbledhjen tjetër do të marrim sugjerimet nga anëtarët, në mënyrë që të sigurojmë prova për kërkesën e ngritur nga 49 deputetë. Ky Komision ka të drejtën për ta thirrur Presidentin në një dëgjesë”, tha Hyseni, ndërsa apeloi për marrjen e vendimeve të drejta për këtë çështje.

Anëtari i këtij Komisioni, Spartak Braho, kërkoi nga kolegët që të jenë të kujdeshëm nga deklarimet që bëjnë për Presidentin Meta. Braho tha se puna që do të bëjnë anëtarët e Komisionit, do të jetë e ngjashme me atë të një gjykate, ndërkohë që kërkoi si prova për Metën të përdoren dhe video të ndryshme, ku Presidenti mund të ketë bërë deklarata që përbëjnë shkelje.

“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që Presidenti kështu, Presidenti ashtu, pasi ne jemi pothuajse një gjykatë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos akuzohemi për prononcime të pamatura. Te plani i hetimit, i nderuar kryetar, ne na nevojitet që të njohim jo vetëm deklarimet e Presidentit, por edhe filmimet, nuk na duhen vetëm të shkruara, duhet të kemi tabelën dhe të shohim të gjitha ato imazhe që akuzojnë Presidentin e Republikës. Kjo nuk është e mirë vetëm për ne, por edhe për publikun”, u shpreh Braho, ndërsa kërkoi që të dinte më shumë rreth buxhetit që do të ketë në dispozicion ky Komision.

Një ditë më parë, pas ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, erdhi edhe reagimi i Presidencës. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat bëri me dije se Institucioni i Presidencës nuk do të njohë asnjë vendim nga Kuvendi pasi është antikushtetues. Ai u shpreh se ky vendim antiligjor parlamentar bie ndesh me parimet dhe vlerat, prandaj nuk meriton aspak vëmendje. Sipas tij, Presidenti do të ushtrojë funksionin e tij derisa të përfundojë detyrën, duke mos toleruar asnjë intimidim nga mafia.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *