Kush shkruan më gjatë nuk thotë asgjë

Pas viteve ’60-të të shekullit që shkoi, rusët e kishin bërë traditë të ftonin në Moskë shkencëtarë të njohur perëndimorë për të mbajtur, pranë auditorëve të tyre universitare, leksione simbolike nga punimet e tyre më të fundit.

Një i tillë ishte edhe ai i 14 janarit 1962, ku i ftuar nderi ishte Paul Dirac (1902-1984), një nobelist anglez në fushën e Fizikës të grimcave elementare, i njohur edhe si zbuluesi i ekuacionit valor që mbante emrin e tij. Një ekuacion nga ata që konsiderohen “të bukur”, për nga thjeshtësia e formës dhe thellësia e përmbajtjes.

Pasi mbushi derrasën e zezë me ekuacione të ndërlikuara matematike, për të shpjeguar punimet e tij të fundit, një aspirant i ri rus, nga fundi i sallës, i drejtoi një pyetje:

  •  Faleminderit profesor për gjithçka parashtruat matematikisht, por a mund të na thoni diçka më shumë me fjalë, rreth përmbajtjes fizike të këtyre ekuacioneve?
    Dirac-u u ndje i befasuar nga pyetja që mesa duket nuk e priste, por aty për aty reagoi:
  • Pse, nuk mjaftojnë këto që “thashë” (formulat e shkruara)? Ato flasin vetë!

Pra, ideja e tij ishte e qartë: Për ata që kuptonin gjuhën e fizikës të shprehur përmes matematikës, çdo fjalë tjetër ishte e tepërt dhe e panevojshme.

Mesa duket aspirant i ri rus ende nuk e kishte mbrritur atë nivel të kuptuari. Kjo vlen edhe për këdo që shkruan, ku shpesh, për të thënë “pak gjëra”, përdorim shumë fjalë që përsëritin njëra-tjetrën dhe nuk i shtojnë asgjë përmbajtjes që duam të themi.K.S.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *