Një 24-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës sepse ka dalë garant që do të kalonte mallra në kufi pa kontroll doganor.
E reja ka përvetësuar shuma të majme parash nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara.
Ky hetim ka nisur pas denoncimeve të personave që kanë rënë pre.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bribery”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Përvetësoi, nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara, shuma të konsiderueshme parash, vihet në pranga 24-vjeçarja.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Bribery”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases:
– M. Ç., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim pasi nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, me anë të ndikimit të paligjshëm, ka mashtruar persona të ndryshëm, duke iu premtuar kalimin e mallrave në doganë, pa kontroll doganor, kundrejt vlerave monetare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.