Njohim të gjithë dikë që ka marrë kontraceptivë, që nis e thotë lart e poshtë sa iu rrit gjoksi apo të pasmet, ajo shoqja e klasës që u kthye nga pushimet e verës 8 kile më e shëndoshë, sepse nisi kontraceptivët, por sa të vërteta janë këto fjalë?
Vajzat kanë frikë të nisin përdorimin e pilulave kontraceptive shtyrë nga ky koncept i gabuar që është krijuar, se kontraceptivët të shëndoshin. Diçka e tillë është e gabuar dhe aspak e vërtetë.
Shtimi në peshë që mund të ndodhë në javët ose muajt e parë pasi keni filluar kontraceptivët është zakonisht për shkak të mbajtjes së ujit dhe është i përkohshëm.
Pavarësisht gjithçkaje që keni dëgjuar nga nëna apo miqtë, nuk ka asnjë provë që vërteton se përdorimi i pilulave orale, kombinim i estrogjenit dhe progesteronit lidhen me shtimin në peshë. Edhe kur janë testuar tek gratë mbipeshë dhe obeze, kontraceptivët kanë treguar se nuk kanë asnjë lidhje me shtimin në peshë apo ndryshimet trupore.
Në fakt ekspertët e shpjegojnë luhatjen në peshë si një përshtatje e trupit. Kur fillon pilulat gjoksi fryhet dhe forcohet si pasojë e stimulimeve hormonale. Kjo shkakton një fryrje të përkohshme që zhduket pas tre muajsh.
Megjithatë nëse ju jeni një nga ato gratë që betohet se është shëndoshur pas përdorimit të kontraceptivëve, atëherë është trupi juaj që po reagon negativisht dhe në mënyrë të pazakontë me hormone specifike që gjenden tek pilulat tuaja.