Në fillim të këtij muaji Jonada Avdia, një vajzë shtatëvjeꞔare, që jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, që ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me të jatin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.
“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe pëgjegjshmëri nga instituciomet shtetëtërore. Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.
“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë për DW, ministrja Kumbaro.
Mospërmbushja e detyrimeve ligjore
“Policia e Shtetit nuk mund të përmbushë detyrimet e palëve të tjera shtetërore dhe jo shtetërore që kanë detyrim licensimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore si edhe kontrollin e përmbushjes së tyre nga subjektet që i kanë licensuar,” thotë për DW, Genti Mullaj, Drejtor i Komunikimit, në Policinë e Shtetit.
Burime zyrtare thanë se autori i incidentit fatal, ish-oficeri i policisë, Arian Tase, kishte licencë për të drejtuar skafin, por incidenti tragjik vë në pikëpyetje mënyrën sesi e ka marrë licencën si dhe dijet e tij.
Sipas tyre ai duhet të kishte filluar të ulte shpejtësinë 200 metra para se t’i afrohej bregut dhe ta fikte motorin e skafit, kur shpejtësia të ishte minimale dhe jo në atë të lundrimit në det. Por ka ndodhur e kundërta. Të njëjtat burime thanë për DW që kur ish-oficeri i policisë Tase ndaloi skafin pa ulur shpejtësinë, ngarkoi në breg pjesëtarët e familjes së tij dhe ndezi motorin dhe mori kthesën në vend për të lundruar në det, skafi mori në mënyrë automatike shpejtësinë e lartë, në të cilën ai e kishte fikur. Skafi doli jashtë kontrollit dhe shkaktoi me helikën e motorit vdekjen e vajzës shtatëvjeꞔare.
“Menjëherë pas ngjarjes tragjike Policia e Shtetit bëri kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit të 200 mjeteve lundruese dhe argëtuese detare. Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik hetoi nëse ka raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, Interpoli dhe sektori i trafiqeve të paligjshme ka hetuar nëse këto mjete rezultojnë të vjedhura ose jo, jashtë Shqipërisë,” thotë për DW Genti Mullaj.
Ai thekson se “që nga fillimi i sezonit turistik Policia Kufitare ka kontrolluar 900 mjete lundruese detare nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masa administrative dhe 25 të tjera janë bllokuar ngaqë nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt”
“Policia e Shtetit nuk synon të bllokojë mjetet lundruese detare që kanë dokumentacion të rregullt dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit në det por synon rritjen e sigurisë së jetës për pushuesit në vijën bregdetare,” thotë për DW, Genti Mullaj.
Gjermania asiston për përmirësimet ligjore
Erdit Gega, President i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” një organizatë joqeveritare, anëtare e organizatës botërore “International Life Saving” (ILS) thotë për DW se “vrojtuesit e plazheve janë trainuar dhe çertifikuar nga kjo federatë me një kurikul të standardit më të lartë, të miratuar nga ILS.
„Skafet, motoskafet dhe të gjitha mjetet lundruese motorike janë shumë të rrezikshme dhe përdorimi i tyre në zonat e notimit duhet të jetë rreptësisht i ndaluar. Por persona të papërgjegjshëm rrezikojnë jetën e plazhistëve, si pasojë edhe e mosndëshkimit prej autoriteteve perkatëse” thotë për DW, Endrit Gega.
Sipas tij ”sa më i madh numri i vrojtuesve, aq me e madhe edhe siguria për jetën në plazhe”
“Rëndësia e pranisë së vëzhguesve në stacionet e plazhit nuk po kuptohet aq sa duhet nga strukturat përgjegjese. Bregdeti ynë ka ende një mungesë të organizimi mes strukturave në zbatim të normave ligjore ne fuqi. Monitorimi i këtyre stacioneve bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, (AKB) e cila duhet të evidentojë mungesën e vrojtuesve dhe të zbatimit të kritereve ligjore lidhur me sigurinë e jetës. Roli i AKB është shumë i vakët dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me federatën tonë pothuajse nuk ekziston,” thotë për DW, Endrit Gega.
Baza ligjore për funksionimin e stacioneve të plazhit hyri në fuqi në Shqiperi 10 vite më parë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE. Përafrimi i saj me legjislacionin përkatës të vendeve të Mesdheut dhe BE mbështetet nga qeveria gjermane përmes programit të GIZ.
“Nëse autoritetet vendore dhe qendrore do të kishin bërë detyrën e tyre sikurse e përcakton ligji për stacionet e plazhit, ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së Jonadës nuk do të kishte ndodhur. Ka një mungesë të theksuar vëmendjeje ndaj vlerës së jetës dhe masave parandaluese për ta mbrojtur atë,” thotë për DW, Endrit Gega. Megjithë numrin e kufizuar të vrojtuesve të federatës, numri i viktimave në det është ulur.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar vrojtuesit kanë shpëtuar 100 vetë nga mbytja. Nga 46 të mbytur në 2016, vitin e kaluar ka pasur vetëm 12. Sivjet kemi patur viktima edhe si pasoje e mungesës së sinjalistikës ujore, respektimit të rregullave të qarkullimit në ujë dhe mungeses së kontrollit nga ana e autoriteteve”, thekson për DW, Erdit Gega.”
Turizmi para sfidave
Ndërkohë Shipëria është bërë një destinacion turistik që ofron shumë më tepër sesa peizazhe mahnitëse të Rivierës, diell dhe ujra smerald të detit Jon. Alpet në veri dhe male në Jug, lumenj, liqene, trashëgimi kulturore dhe vende arkeologjike të lashtësisë tërheqin jo vetëm në verë turistë nga Evropa dhe përtej Atlantikut.
Sipas shifrave zyrare në periudhën janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19. “Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror,” thotë për DW, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ajo vë në dukje që “potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit. “Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri, ” thotë ministrja Kumbaro.
Por që kjo të ndodhë Shqipëria duhet të përballojë disa sfida përveç asaj të garantimit të sigurisë së jetës
Lufta në Ukrainë, reduktimi i turistëve ukrainas, rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve kërcënojnë zhvillimin e një turizmi për 12 muajt e vitit. Jo më pak kërcënuese është edhe mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri. Sipas INSTAT mbi 42 mijë persona emigruan vitin e kaluar dhe mijëra të tjerë kanë kërkuar azil. Hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera turistike janë në vështirësi për fuqi punëtore. Cilësia e shërbimeve ka nevojë për përmirësime substanciale. Lakmia për të fituar sa më shumë rezulton të jetë mbi logjikën e biznesit dhe në fund të fundit po e dëmton turizmin. Çmimet e larta të transportit, akomodimit dhe ushqimit kanë mbajtur larg këtë verë pushuesit vendas që kanë anuluar planet për pushime. Pozicioni gjeografik, natyra dhe historia janë shumë bujare me Shqipërinë për të ngritur një industri të lulëzuar turizmi dhe zhvilluar ekonominë. Kjo mund të ndodhë vit pas viti, nëse zbatohen ligjet me dorë të hekurt, ndëshkohen kundravajtësit dhe fitohen sfidat./DW