Pas miratimit në Parlamentin e vendit tonë, Shqipëria ka dorëzuar në Këshillin e Europës rezolutën kundër të Dick Marty-t për pretendimet e pabaza për tregtinë e jashtëligjshme të organeve të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte media serbe “KosovoOnline”, e cila ka publikuar rezolutën bashkë me dokumentar që dorëzoi Shqipëria në KE.
Në kërkesën e delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë atë Dick Marty-t, mbi të cilin janë dërguar për gjykim shumë zyrtarë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës shpreh komplimentet për përfaqësitë e përhershme të vendeve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës dhe ka nderin të informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 korrik, 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri,”- thuhet në shënim.
Në këtë notë verbale më tej thuhet se rezoluta që i bashkëngjitet notës është përgjigje ndaj Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe tregti ilegale me organe njerëzore në Kosovë”, i cili bazohet në raportin (Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011) nga Dick Marty, shkruan KosovoOnline.
“Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik 2022, pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Misioni i përhershëm i Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës e përdor këtë mundësi për të përsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës”, shkruhet në ndër të tjera në dokument
Rezoluta kaloi në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar maxhorancën dhe opozitën për të mbajtur të njëjtin qëndrim, pavarësisht përplasjeve të forta politike që kanë pasur së fundmi. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim ç’njerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK.
Kjo rezulutë, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Ky rregull parasheh që një mocion për rekomandim apo rezolutë – me jo më shumë se 300 fjalë – duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues apo zëvendësues, që u takojnë të paktën pesë delegacioneve kombëtare, apo duhet të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga komisioni.