46-vjeçari është gjobitur pasi nuk respektoi zonën e kufizuar në plazhin e Dhërmiut.
Pronari i jahtit ka paraqitur rrezikshnëri për pushuesit në det.
Ndërkohë burime bëjnë me dije se mjeti lundrues është bllokuar për 5 ditë.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë kontrollet nga Policia Kufitare, përgjatë gjithë vijës bregdetare, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.
Nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Dhërmiut, ndëshkohet me masë administrative 100.000 lekë të rinj, kapiteni i Yaht-it, si dhe i bllokohet mjeti lundrues, për 5 ditë.
Ndëshkohen me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, edhe 3 drejtues të mjeteve të tjera lundruese, në Vlorë dhe Himarë.
Shërbimet e DVKM Vlorë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe, gjatë patrullimit në plazhin e Dhërmiut, kanë konstatuar duke lundruar, në një zonë të kufizuar për ushtrimin e aktivitetit të turizmit detar, një mjet lundrues tip “Yaht”, që paraqiste rrezikshmeri për pushuesit.
Menjëherë është bërë ndalimi i drejtuesit dhe shoqërimi i tij, bashkë me mjetin lundrues, në PKK Himarë. Në bazë të ligjit nr. 43 të vitit 2020, kapiteni i mjetit lundrues, shtetasi D. J., 46 vjeç, lindur dhe banues në Kotorr, Mali i Zi, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj, si dhe iu bllokua mjeti lundrues, për 5 ditë.
Në vijim të kontrolleve, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2021, neneve 14/b dhe 14/g, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 3 kapitenë të mjeteve lundruese tip gomone, njëri prej tyre për mungesë dokumentacioni (në bord) dhe 2 për tejkalim të kapacitetit të personave të lejuar në bord.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.