Fluks automjetesh në Kakavijë, reagon Meta: Qeveria të ‘ngrihet në këmbë’, kërkohet negocim i menjëhershëm me palën greke

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me radhën kilometrike automjetesh në pikën kufitare të Kakavijës.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Meta shkruan se Qeveria duhet të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar.

Sakaq shton se kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, turpëron të dyja vendet.

Postimi i plotë:

ÇDO QYTETAR SHQIPTAR MERITON TË TRAJTOHET ME DINJITET, JO SI NJERI PA SHTET DHE PA ATDHE! ??

I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar.

Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm!

U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur dhe të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t’i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë.

I inkurajoj gjithashtu autoritetet greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të ngushta tradicionale, të bëjnë gjithçka për të shmangur situata të papranueshme dhe kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, imazhet e të cilave i turpërojnë të dyja vendet tona.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *