VIDEO/ Skema 3D, si e përplasi për vdekje komisari Tase vogëlushen 7-vjeçare në Himarë

Shënonte ora 13:50. Bledar Avdia me vajzën e tij 7-vjeçare Jonadën po qëndronin në bregun e detit në Potam. Edhe pse nuk e dinin, Babe e bije po jetonin çastet e fundit së bashku. Më pas erdhën minutat fatale për familjen Avdia. Një skaf që erdhi nga deti, i mori jetën mizorisht vogëlushes.

Çfarë ndodhi ne ato minuta dhe çfarë veprimesh kreu komisari Arjan Tase qe solli tragjedinë? Një dëshmitar okular që ndodhej 10 metra afër vendngjarjes rrëfen se si Arjan Tase kreu krimin e rende.

Rrëfimi tronditës i dëshmitarit: Një skaf u afrua në bregdet, ku aty po laheshin shumë pushues, skafi u ankorua në breg duke shpërfillur të gjithë pushuesit që ishin në breg dhe në det. Aty mori disa persona dhe më pas bëri një lëvizje shumë të shpejt, të beftë pas, pak metra, duke u munduar që helikat e skafit mos t’i takonin në gurë, dhe në atë moment pushuesit u alarmuan, shumë njerëz i bërtitën skafistit që të ndalonte, momenti i dytë ishte kur autori tentoi dhe e nxori skafin me një lëvizje shumë të fuqishme motorike paralel me bregun e detit, aty pamë shumë njerëz të cilët ishin në det, le të themi u ndikuan nga kjo lëvizje, u alarmuan edhe më shumë. Pamë që babi i vajzës u godit nga skafi, ku shihnim kokën e tij që u fut poshtë skafit, edhe pse ne të gjithë si pushues bërtitëm, munduam ta ndalonim autorin, autori na shpërfilli të gjithë ne, nuk denjoi të na përgjigjej ose të bënte një veprim ku mund ta kishte parandaluar këtë tragjedi.

Autori me këtë dalje paralele me bregun, merr drejtimin e skafit për nga jugu, i dha më shumë gaz për t’u nisur nga bregu dhe në atë moment pamë tek pjesa e helikave të motorit shumë gjak…

Në atë moment u alarmuan të gjithë, i thamë, i bërtitëm autorit të ndalonte, ai tentoi të ikte edhe pasi e pa këtë skenë, me vetëdije të plotë, autori ishte i qetë, nuk pamë ndonjë ndryshim në sjelljen e tij, gjatë gjithë kohës ishte i vetëdijshëm dhe të gjithë ne shkuam të kapnim skafin dhe me duart tona e tërhoqëm atë në breg.

Në atë moment pamë dhe trupin e vajzës që e kishte nxjerr dikush, trupi i vajzës ishte i copëtuar nga helikat e skafit, dikush i hodhi peshqir sipër trupit të aj… ishte një situatë shumë shumë e rëndë”.

Por, çfarë thanë për ngjarjen në deklaratat zyrtare policia dhe agjencia e mbikëqyrjes policore AMP?! Në të dyja deklaratat ka një mospërputhje jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me të vërtetën e ngjarjes. Në njoftimin e policisë Vlorë thuhet se skafi ka humbur kontrollin, ndërsa në njoftimin e AMP thuhet se Arjan Tase ka kryer manovrime të pakujdesshme 15 metra larg bregut për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Dëshmitari okular i ngjarjes hedh poshtë të dyja variantet, si të policisë dhe të AMP.

Si u hetua ngjarja dhe a kreu grupi hetimor të gjitha procedurat e nevojshme për administrimin e të gjitha provave me qëllim për zbardhjen e plote të ngjarjes. Por, si veprohet në të tilla ngjarje? Eksperti i sigurisë Fatjon Softa shpjegon me detaje se çfarq veprimesh hetimore duhet të bënte policia në këtë rast.

 

Dëshmitari okular tregon se në asnjë moment nuk pa që grupi hetimor të bënte një vëzhgim me detaje të vendit të ngjarjes dhe të administronte provat e nevojshme.

Komunikimi dhe veprimet e policisë kundrejt Arjan Tases në vendin e ngjarjes ishin sikur të kishte ndodhur një incident i vogël.

Hija e dyshimit për mënyrën se si u hetua ngjarja shtohet më shume kur mëson se një dite pas ngjarjes disa metra afër bregut të detit, aty ku ndodhej edhe një stacion për skafe, ishte hequr mbishkrimi për këtë aktivitet. Aty pranë ndodhet edhe një hotel kamerat e sigurisë së të cilit kanë regjistruar të gjithë ngjarjen. A u sekuestruan këto kamera?

Arjan Tases nuk iu sekuestruan të gjitha sendet personale që kishte në skaf dhe në çantë. Në asnjë deklaratë të policisë dhe AMP nuk thuhet nëse komisarit të policisë iu sekuestrua arma e shërbimit apo sende të tjera që kishte më vete.

Po ashtu autoritetet duhet të japin përgjigjen nëse, Arjan Tase ishte nën efektin e alkoolit apo nën efektin e lëndëve narkotike. E nëse këto analiza nuk janë bërë që në fillim kur ai u shoqërua, Prokuroria duhet të nis hetimet se përse testet u shmangën.

Sjellja e Arjan Tases pas ngjarjes është një tjetër arsye e fortë pse hetuesit duhet të thellojnë hetimet. Gjakftohtësia e tij pas ngjarjes është e frikshme, madje dëshmitari thotë që Tase kërcënoi edhe familjen e Jonadës.

Autori i krimit ndodhet në burg në akuzën e vrasjes me dashje indirekte, një akuzë që u ndryshua nga prokuroria pasi AMP e cilësoi si vrasje nga pakujdesia.

Shpresojmë që drejtësia të ngarkojë me përgjegjësinë e merituar autorin e krimit, që nesër në policinë e shtetit të mos emërohen Arjan Tase të tjerë, që me arrogancë shkelin ligjet e këtij vendi duke shkaktuar edhe tragjedi. Sot, në sytë e Jonadës së vogël shohim parajsën ku ndodhet. E vogla pikëlloi gjithë Shqipërinë. Ajo erdhi nga jashtë vendit dhe Zoti e mori në vendlindjen e prindërve, aty ku po luante në breg, ku sytë e saj të bukur ishin bërë njësh me detin. Familjes së saj Jonada i ka lënë një boshllëk që nuk zëvendësohet kurrë. Me pikëllim në shpirt Gjyshi i Jonadës, një njeri fisnik, jep mesazhin e tij dhe falenderon shqiptarët për mbështetjen.

“Unë nuk kam dashur të jem njëri prej atyre që e konverton tragjedinë në një show mediatik. Kam respektuar kodet e Gegërisë dhe të fisit tim të njohur të fshatit ‘ Berishë’. Përkushtimi i shqiptarëve dhe pjesëmarrja e tyre brenda e jashtë kufijve është ngushëllimi im familjarë. Ata dua t’i falenderoj pafundësisht e përjetësisht që jetuan me mua këtë tragjedi familjare duke i dhënë përmasa kombëtare. Me këtë dokumentar të lartësojmë Jonadën tonë të shtrenjtë si një përmendore e kohës së përbindëshave të pushtetit dhe që nëpërmjet dokumentarit t’u themi një mesazh shqiptarëve: – Kjo që ndodhi me Jonadën të mos përsëritet kurrë me tek asnjë familje shqiptare. Ne respektojmë kodin e heshtjes”./bw

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *