Fitoi 76 vite më parë luftën kundër fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, dhe sot e ka festuar pikërisht me një paradë madhështore ushtarake këtë ditë.
Rusia ashtu si çdo vit, edhe sot ka shfaqur fuqinë e saj ushtarake me parada të mbajtura në mbarë vendin më 9 maj, për të shënuar 76-vjetorin e fitores së sovjetikëve ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pa nga afër paradën e “Ditës së Fitores” në “Sheshin e Kuq” të Moskës, ku parakaluan rreth 12 mijë trupa, afro 200 makina dhe tanke, në një kohë që avionët dhe helikopterët kryenin manovra në qiellin e kryeqytetit rus.
Putin shoqërohej në tribunën e paradës nga anëtarët e qeverisë, ushtarakë dhe veteranët e luftës, raportonte “Daily Mail”.
Që prej se ka ardhur në pushtet, dy dekada më parë, Putini edhe nga posti i presidentit, por edhe i kryeministrit, ka tentuar që të rikthejë simbolet e të kaluarës së lavdishme sovjetike dhe ruse, me qëllim që të rrisë patriotizmin.
Gjatë fjalimit të tij, Putin u zotua se, Rusia do të mbrojë interesat e saja kombëtare dhe denoncoi rikthimin e “rusofobisë”.
“Me vendosmëri ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare, që të sigurohemi se njerëzit tanë janë të sigurt”,- tha në fjalimin e tij Presidenti Putin.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/