Një shofere e re ka marrë rrugën sot për në Skrapar me autoveturën e saj tip “Audi”, por udhëtimi i ka shkuar keq. Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin nacional Berat-Skrapar, në fshatin Vërtop.
Mjeti tip “Audi”, me targa “AA 723 LK”, që drejtohej nga një 28-vjeçare është rrëzuar nga ”Ura e Vërtopit” dhe ka përfunduar disa metra poshtë në zhavorrin e lumit Osum edhe pse nuk ka pasur prurje.
Si pasojë e rrëzimit drejtuesja e mjetit Anxhela Ibra 28-vjeçe, është plagosur rëndë, ndërkohë që pasagjeri që udhëtonte me të nuk ka pësuar lëndime.
Pas njoftimit të bërë nga një roje i një fabrike aty pranë, që pa gjithë skenën në vendngjarje kanë mbërritur forca të ushtrisë dhe policisë, të cilët kanë nxjerrë nga makina 28-vjeçaren.
E plagosura është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal të Beratit ku, pasi ka marrë mjekimin e parë, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë, që dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e shpejtësisë.
/Priza.al/