Ushtria britanike do të ketë tashmë në shërbim të saj një “karrocë lufte” të gjeneratës së re, që mbahet nga më modernet. Autoritetet britanike të mbrojtjes prezantuan dje tankun e ri të betejës, duke thënë me bindje se, është më i mirë se çdo tank rus dhe më i miri që kanë në përdorim ushtritë e vendeve të NATO-s.
“Challenger 3” është “bisha” e re e ushtrisë së Mbretëreshës, që mund të lëvizë në rrugë dhe në terrene të vështira si një autoveturë, me një shpejtësi maksimale prej 100 km/h dhe peshon 66 ton.
Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha: “Është tanku më i mirë i Ushtrisë Britanike, por jo vetëm. Do të jetë tanku më i fuqishëm i NATO-s”.
Ai shkoi më tej, duke u shprehur se ky tank do të jetë më i mirë se çdo tank rus që është në qarkullim: “Do të jetë krejtësisht i digjitalizuar, që do të thotë se do të mund të marrë informacion nëpër ekrane dhe mund të komunikojë me mjetet e tjera ushtarake në fushë-betejë. Madje, do të komunikojë edhe me avionët dhe anijet”.
/Burimi: BBC/Përshtati: Priza.al/