Nard Ndoka nuk ndal thumbimet ndaj kreut demokrat, Lulzim Basha. Ai nuk arriti të merrte një mandat në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa duket se ende nuk i ka dalë inati me Bashën.
Së fundmi, Ndoka ka publikuar një foto në ‘Instastory’ ku shfaqet në krah të kryedemokratit, teksa të dy shihen duke qeshur.
“Qesh e ngjesh”, shkruan Ndoka krahas fotos, të cilën e shoqëron edhe me një ‘emoji’.
Më herët, Nard Ndoka deklaroi se i kishte besuar verbërisht Lulzim Bashës, madje e bënte këtë të fundit përgjegjës kryesor të humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
Një nga motivet kryesore për humbjen e opozitës, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka vlerësuar se ka qenë mungesa e komunikimit të kryedemokratit Lulzim Basha me aleatët. Në intervistat që ai ka dhënë më herët, është shprehur se votat e tij personale janë vjedhur nga PD-ja.
“Jam masakruar me votat e mia personale, votat e mia janë vjedhur nga PD-ja”, tha Ndoka.
Ai ka pasur kritika të ashpra për Bashën, duke thënë se nuk u bë asnjëherë lider i PD-së, edhe pse vetë aleatët u sakrifikuan që Basha të rritej.