Amazon ka akuzuar Komisionin Federal të Tregtisë (FTC) së SHBA-së se ka ngacmuar drejtuesit e saj më të lartë, duke përfshirë themeluesin Jeff Bezos dhe shefin ekzekutiv Andy Jassy, si pjesë e një hetimi rreth skemës së anëtarësimit në “Prime” për tregtinë elektronike.
Që nga marsi i vitit 2021, rregullatori ka hetuar nëse Amazon përdor teknika mashtruese për të joshur klientët që të regjistrohen në Prime, që është shërbimi i abonimit i cili ofron shpërndarje falas dhe përfitime të tjera me një kosto prej 139 dollarë në vit.
FTC po shqyrton gjithashtu nëse Amazon e ndërlikon në mënyrë të padrejtë procesin për klientët që duan të anulojnë anëtarësimin e tyre.
Në një dosje që u bë publike në 5 gusht nga rregullatori, Amazon tha se hetimi ishte bërë “i rëndë” për punonjësit dhe drejtuesit pasi të paktën 19 personave iu dorëzuan fletëthirrje individuale, ose kërkesa për hetim civile, për të dhënë dëshmi.
Amazon tha që informimi i Bezos dhe Jassy për të dëshmuar mbi detaje “tepër të vogla” do të ishte një “barrë e madhe për ta”. Së paku, kompania tha se afati për të dhënë informacionin duhet të zgjatej në kohë.
Ekzekutivët, përveç Bezos dhe Jassy, të cilëve iu dërguan fletëthirrje përfshinin Doug Herrington, kreun e shitjeve me pakicë të Amazon-it dhe Russell Grandinetti, kreun e konsumatorëve ndërkombëtarë.
Ish-drejtuesit Dave Clark, i cili kishte qenë kreu i konsumatorëve në mbarë botën, dhe Greg Greeley, ish-kreu i Prime, u përfshinë gjithashtu.
Programi Prime është shpallur si një pikë kyçe e suksesit të Amazon, me anëtarët që zakonisht shpenzojnë më shumë para se jo anëtarët. Të ardhurat direkt nga tarifat e abonimit ishin 8.7 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, rreth 7 për qind e të ardhurave totale të Amazon për periudhën.
FTC nën udhëheqjen e kryetares Lina Khan është zotuar të godasë fuqinë e grupeve të mëdha të teknologjisë. Rregullatori ka identifikuar në veçanti trajtimin e taktikave mashtruese në internet, të ashtuquajturat modele të errëta, si prioritet, dhe ka lëshuar një grup të ri udhëzimesh në tetor.
Hetimi i FTC-së është shtrirë në katër shërbime të tjera të abonimit të Amazon, përfshirë shërbimin e librave elektronikë “Kindle Unlimited” dhe platformën e transmetimit të muzikës “Amazon Music”.
Kërkesat e Amazon do t’i nënshtrohen një votimi nga komisionerët e FTC, të cilët përfshijnë tre të emëruar demokratë dhe dy republikanë.