Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Spanja duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi rastet e Katalonjës dhe të baskëve nuk janë të njëjta me rastin e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais” të premten, Kurti ka deklaruar se njohja e shtetit të Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte se rastet nuk janë të njëjta pasi Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë.
“Spanja duhet të pajtohet dhe ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për situatën në Ballkan, duke thënë se Rusia bën presion për ta rritur jostabilitetin në kufijtë e BE-së.