Gjendja financiare e Interit është ende e paqëndrueshme dhe drejtuesit në merkato po lëvizin duke e pasur parasysh këtë fakt. Por ndërkohë që vëmendja është përqendruar te kjo dritare transferimesh, “Il Sole 24 Ore”, portali ekonomik italian, zbulon lëvizjet që kanë të bëjnë me pronësinë e klubit.
Grupi “Suning”, pra familja Zhang, ka vendosur si garanci aksionet e Interit për borxhet e marra në emër të klubit, të cilat nëse nuk shlyhen në kohë do ta bëjnë kreditorin “Oaktree” pronarin e ri të zikaltërve.
Por fondi i investimeve nuk dëshiron të jetë në krye të zikaltërve dhe “Goldman Sachs”, banka amerikane që është marrë me tratativat, u ka dërguar investitorëve të mundshëm dokumentet e Interit, për të parë nëse dikush do të tregojë interes për ta blerë.
Kështu, e vetmja zgjidhje e Stiven Zhangut nëse nuk lan borxhet do të ngelet shitja e klubit, ps pasur më mundësinë që të hyjë në negociata të reja me “Oaktree”.
SITUATA FINANCIARE – E kur është fjala për borxhet, sipas llogaritjeve të “Calcio e Finanza” duhet të shlyejë 400 milionë euro neto, ndërkohë që interesat mund të shkojnë rreth 40 milionë euro në vit.
Plani i zikaltërve është në fakt të pakësojnë humbjet dhe të lehtësojnë bilancet. Në përfundim të sezonit 2020-2021 klubi regjistroi rreth 245 milionë euro humbje, ndërkohë që për sezonin që u mbyll, shifra pritet të jetë reduktuar në 140 milionë euro.
Por pavarësisht kësaj situate, vlera e Interit mund të mbërrijë në 1.2 miliardë euro (sa e Milanit), edhe pse çdo pronësi e re duhet t’i bëjë llogaritë me situatën financiare aktuale të klubit. I vetmi që mund të ndikojë në rritjen e vlerës është ndërtimi i stadiumit të ri, por deri në gjetjen e akordit për të, Zhang duhet të mendojë të tjera zgjidhje.