Ndarja nga jeta e kineastit Kristaq Dhamo, Mitro: Mjeshtri që i mësoi të gjithë. Sot nuk ka më kinema, regjisorët përfundojnë të papunë

Regjisori Kristaq Mitro, komenton ndarjen nga jeta të Kristaq Dhamos, një nga regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, autor i filmit të parë me metrazh të gjatë, “Tana”. Mitro e cilëson Dhamon si mësues dhe mjeshtrin që i mësoi të gjithë, ku regjisorë dhe shumë emra të njohur kanë dalë nga dora e tij. Ai shprehet se mbi të gjitha Kristaq Dhamo ishte njeri, një njeri që rrallë e gjen sot.

Të mësonte dhe dukej sikur ti i dije vetë ato, sikur nuk ti mësonte ai. Në shumë gjëra ne nuk e njihnim fare filmin, por ai na drejtoi dhe na futi në rrugën e filmit, që dukej si një rrugë e lehtë por ishte shumë e vështirë. Dhamon në fillim e njohëm si regjisor në Kinostudio se vajtëm të rinj dhe avash avash kishim mbaruar një shkollë dhe u futëm në një shkollë tjetër, në shkollën e Dhamos, ai na drejtoi dhe na futi në film.

Leksionet e tij ishin të pafundme, ishin të përhershme. Drejtoi një grup të tërë, erdhëm nga një shkollë dhe u futëm në një tjetër. Gjithë kohës ishim të orientuar dhe të drejtua nga ai njeri. Por ai nuk dukej si pedagog dhe nuk thoshte i di të gjitha, kur në fakt i dinte të gjitha. I thoshte me aq lezet gjërat sa ne dilnim të përgatitur, na futi në një korridor për të parë ca filma në Europë por që nuk shfaqeshin këtu se ishin filma të ndaluar për publikun, por ai na i tregoi se aty ishte gjuha e kinemasë.

Ai na mbronte nga çdo gjë se këta janë studentë të të ardhmes thoshte dhe mësimin nuk do e bëjnë në shkollat e huaja, por këtu. Kishte bërë një shkollë shumë prestigjoze, vinte nga Budapesti.

Duke u ndalur tek filmat ku ka qenë regjisor, si Vendimi, Mengjeze Lufte, apo edhe Detyrë e Posaçme, Mitro veçon filmin Vendimi, për të cilin thotë se ishte mësim.

Ishte mësim për ne, film me një gjuhë kinemaje shumë të rafinuar. Ka dhe Brazdën, por film shumë të bukur ka dhe Kënetën. Nuk kishte parë Shqipëria filma artistikë. Pa Tanën dhe më pas pa Kënetën. Po ta shohësh mirë atë film, për kohën kur është xhiruar është shumë i guximshëm dhe i kuruar. E shoh nga gjuha e kinemasë dhe e gjithë ajo është një film avangardë për kohën.

Dhamo ishte udhëheqës artistik dhe ishte i kursyer për kohën që duhet të bënte filma. Duhet të përgatiste dhe të tjerët dhe nuk i ngelej shumë kohë. E mohuan çik se vetvetiu kërkonin planin dhe Dhamo ishte ai që i drejtonte të gjithë. Kinemaja shqiptare nuk punoi vetëm në krahun e filmave te Europës Lindore por ne kishim edhe një karakteristikë tjetër, patëm ndikim nga neorealizmi italian.

Ne ishim neorealist, ishim të krahut italian në shumë gjëra. Qoftë në mënyrën si ndërtonim dekore, kuadrin, si i vendosnim aktorët në skenë, kishte imitime dhe ndikime kinemaja ruse. Kishim regjisorë që kishin studiuar në Rusi si Angnosti, Gjika. Apo të kinemasë çeke, ku ishte Milkani, Erebara, kishte dhe kinema të shteteve të tjera. Më vonë u çua në Itali, por mbeti kinemaja e vendeve lindore. Megjithatë u devijua.

Ne patëm një shikim dhe vëmendja jonë ishte nga kinemaja e perëndimit, Europës dhe herë pas here punonim me atë kinema.

Lidhur me situatën aktuale, regjisori Mitro shprehet se nuk beson se ka më kinema.

Nuk ka më kinema, se nuk ka as investime, as angazhim nga qeveria, se kinemaja duhet ushqyer, duhet ushqyer me lekë, me projekte me të gjitha. Projekte mund të bëjnë regjisorët por me çfarë lekësh. Qendra është katandisur si mos më keq. Regjisorët e rinj përfundojnë në televizione ose mbeten papunë. Ose bëjnë filma të shkurtër që për momentin vlejnë për karrierën e tyre, por më tej duhet të hidhen në oqean dhe të bëjnë filma artistik. të bësh film artistik është ndërmarrje e madhe shumë, kërkon shumë para. Në kohën e Enver Hoxhës, kinemaja nuk vuante për fonde sepse ishte propagandë dhe vetvetiu duhej ushqyer propaganda, pavarësisht se i bënim dhe dredha plumbit. Mundoheshim të krijonim situata të reja që të mos i ngjanin shumë propagandës, por aq ishte mundësia nuk mund të bëhej më tepër.

Nuk ka filma pas viteve ‘90-të, kanë disa që kanë dalë në fillimet e ardhjes së ‘90-ës, kanë dalë disa filma por nuk pati më, tani është cekëtinë fare./mcn

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *