Vrasja e 33-vjeçarit Madrit Ulqinaku pak ditë më parë në Elbasan për një debat krejtësisht banal midis tij dhe grupit ku bënte pjesë autori 18-vjeçar Horgito Peqini dhe miqtë e tij Eiden Dino (18 vjeç) e Klaudjan Sallufi (33 vjeç) tronditi mbarë opinionin publik.
Peqini nuk nguroi të shkrepte pistoletën me silenciator mbi babain e një vajze të mitur, ndërsa policia pas ngjarjes vuri në pranga mikun e tij Dino, i cili posedonte një thikë dhe shpalli në kërkim autorin 18-vjeçar së bashku me Sallufin.
Në media u përfol se Horgito Peqini është nipi i Eduart Peqinit. Ky i fundit është i njohur ndryshe si “Mandela i Elbasanit”, teksa ka drejtuar bandën më famëkeqe të qytetit në vitin 1997-të, dhe tashmë ndodhet në burg duke vuajtur dënimin e përjetshëm.
Por daja i 18-vjeçarit, Gentjani ka mohuar çdo lidhje farefisnore të autorit të ngjarjes me “Mandelën e Elbasanit”, duke deklaruar gjithashtu se nipi i tij duhet të marrë dënimin e merituar për krimin e kryer.
“Personin që bëri atë vrasje nuk është nipi i Mandeles. Unë jam daja i Horgitos. E dënoj atë që bëri nipi im”, ka thënë Gentjani.
Më tej daja i Hogitos i kërkon drejtësisë që të hetojë deri në fund ngjarjen, pasi duhet sqaruar njëherë e mirë se çfarë e lidhte nipin e tij me një 33-vjecar. Gentjani thekson se sa herë ka ardhur në Shqipëri ka takuar shokët e Horgitos, të cilët janë bashkëmoshatarë me të, dhe se nuk e kupton se çfarë mund ta lidhte nipin e tij me një 33-vjeçar.
“Unë e dënoj ashpër veprimin e nipit tim. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së djalit që u vra. Por i bëj thirrje policisë që të hetojë ngjarjen, për të kuptuar se e kujt ishte pistoleta, dhe se cila ishte arsyeja që nipi im shoqërohej me një 33-vjeçar. Unë jetoj jashtë, por sa herë kam ardhur në Shqipëri dhe kam takuar shoqërinë e nipit tim, kamë parë se ata janë të gjithë bashkëmoshatarë, dhe nuk e kuptoj se çfarë ka dashur nipi im me një 33-vjeçar. Nipi im duhet të dënohet për atë që ka bërë, por policia duhet të hetojë deri në fund ngjarjen”, shton më tej ai.
Daja i 18-vjeçarit ka folur dhe për dëshminë e dhënë nga Eiden Dino në polici, i cili ka thënë se para ngjarjes Horgito dhe Klaudjani kanë konsumuar disa viza kokainë në një banesë ku ndodheshin të tre. Sipas Gentjanit nipi i tij nuk pinte as cigare, prandaj kjo ngjarje duhet të hetohet deri në fund nga policia./abc