Aktori Ioane ‘John’ King, i cili luajti gladiatorin Rhascos në dramën historike “Spartacus”, ka vdekur në moshën 49 vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar familja e tij përmes një deklarate në rrjetet sociale.
“Me pikëllim ju njoftojmë përfundimin e luftës së Johnit. Ai lë një boshllëk të madh në këtë botë, pasi ishte një bashkëshort, baba, bir, vëlla, mik dhe njeri i mrekullueshëm. Ata që kishin fatin ta njohin do ta kujtojnë për mirësinë, pozitivitetin, zellin dhe dashurinë e tij”, shkruante në njoftim.
Në vijim thuhej se aktori vdiq i rrethuar nga miqtë dhe familjarët e dashur.
Në fillim të këtij viti, King u diagnostikua me adenokarcinomë, e cila ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit të tij, përfshirë pankreasin. Megjithëse diagnoza ishte terminale, ai filloi kimioterapinë për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes.
Postimi i fundit i aktorit, i cili u bë katër ditë para vdekjes së tij, trishtoi shumë sepse tregonte se sa shumë kishte ndryshuar i për shkak të efekteve të sëmundjes.
Ndryshe, krahas aktrimit, Ioane ka punuar edhe si trajner personal dhe oficer burgu.