Të dhënat që raportohen nga “Instituti i Statistikave” na tregojnë se përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti numri i lindjeve ka tejkaluar numrin e vdekjeve me 468 lindje më shumë.
Numri i lindjeve për tremujorin e dytë është 5,384 duke shënuar një rënie me 14.8%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021 dhe një rënie prej 11.1%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit paraardhës.
Ngushëllues është fakti se nga ana tjetër me të njetin ndryshim paraqitet edhe numri i vdekjeve. Vdekjet regjistrohen në 4,916 gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022 dhe kanë shënuar rënie me 19.4% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, por rënie regjistron edhe karahasuar me tremujorin paraardhës me 38.1%.
“Scan Intel” i ka analizuar treguesit e mësipërm sipas qarqeve nga ku rezulton se numri i lindjeve regjistrohet me rënie pothuaj në të gjithë qarqet e vendit me përjashtim të Dibrës dhe të Kukësit, krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti. Rënia më e lartë e numrit të lindjeve regjistrohet në Vlorë me 27.1%, Vlora ndiqet nga Gjirokastra me 19.8% dhe nga Lezha me 17.5%. Sa i përket dy qarqeve të vetme me rritje të numrit të lindjeve, rritja regjistrohet në 4.3% për Dibrën dhe 1.6% për Kukësin.
Qarqet me rënien më të lartë janë Vlora, Elbasani, Fieri dhe Gjirokastra.
Sa i përket vdekjeve regjistrohet rënie në të gjitha qarqet krahasuar me tremujorin paraardhës, rënien më të lartë të numrit të vdekjeve e regjistron Vlora me 44%, ndjekur nga Tirana me 43.8% dhe Lezha me 43.6%.
Në qarqe si Elbasani, Fieri, Shkodra, Korça, Vlora, Berati dhe Gjirkostra numri i vdekjeve ka tejkaluar lindjet. Korça regjistron raportin më negativ me 193 vdekje më shumë se lindje. Ndër qarqet që kanë regjistuar raport pozitiv, Tirana regjistron 821 lindje më shumë se vdekje.