I shkëputur nga titujt në pesë vitet e fundit, klubi më i suksesshëm i Anglisë po përballet me vështirësi në fillim të sezonit. Manchester United u mposht në dy javët e para të Premier League dhe detyra e sotme duket e vështirë ndaj Liverpoolit (21:00). Sidoqoftë, trajneri i “Djajve të Kuq”, Erik ten Hag, nuk tërhiqet nga ideja e tij për të “rikthyer” ditët e lavdisë së MU.
“Unë jam këtu për të ndihmuar klubin dhe për ta rikthyer atë,- tha holandezi. – E desha këtë sfidë. E dija që do të ishte e vështirë, por e doja, sepse në karrierën time, kudo që e nisa, fillimi ka qenë i vështirë, por ia kam arritur qëllimeve të mia dhe jam i bindur që do t’i arrij edhe këtu”. Megjithatë, Ten Hag nuk po mashtron veten. “E di që është një proces, – pranon ai. – Unë do të qëndroj konsistent me planin, filozofinë që kemi”.
Ndërsa tifozët shprehin pakënaqësinë e tyre, kryesisht ndaj drejtuesve, të hënën, trajneri holandez bëri revolucionin e tij të vogël pas humbjes ndaj Brentford (0-4) javën e kaluar. Ish-tekniku i Ajax zëvendësoi një ditë pushimi me një stërvitje shtesë.
“Këtë vendim e mora të shtunën, gjatë ndeshjes, kur pashë paraqitjen (0-4 në pjesën e parë). Nuk është normë për Manchester United dhe nuk është norma ime. Ne duhet ta ndryshojmë këtë dhe unë duhet t’i mësoj ekipit dhe lojtarëve se cili është ky standard”.