Kancelari gjerman Olaf Scholz do të ftojë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në një takim në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit, njoftoi ambasada gjermane në Prishtinë.
Siç thuhet në përgjigjen e ambasadës Scholz ka nisur përgatitjet për takimin Kurti-Vuçiç, të cilin do ta ndërmjetësojë këtë vjeshtë, në kuadër të procesit të Berlinit.
“Këtë vjeshtë, si pjesë e procesit të Berlinit, kancelari Scholz do të ftojë të dyja palët, me synimin për të lehtësuar më tej dialogun. Përgatitjet për këtë takim janë duke u zhvilluar”, tha ambasada.
Gjermania përshëndeti takimin e 18 gushtit me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë dhe vlerëson që të dy ranë dakord për vazhdimin e negociatave, duke theksuar se është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje të mundshme.
“Një tjetër përshkallëzim me bllokime rrugësh dhe protesta të dhunshme nuk është në interesin e askujt”. Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme mes dy palëve, e cila do të zhbllokojë perspektivën evropiane për të dyja vendet dhe do të kontribuojë në sigurinë rajonale”, thuhet në ambasadën gjermane në Prishtinë.
Ambasada bëri me dije se është e qartë se masat duhet të zbatohen në atë mënyrë që të mos krijohen tensione të reja dhe për këtë arsye fokusi tani është në angazhimin konstruktiv në bisedimet në vazhdim.