Drejtori i AKU-së Shkodër është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet se ka lejuar një aktivitet të jashtëligjshëm. Po ashtu në pranga e bluve të Shkodrës, ka rënë edhe pronari që shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar.
U mësua se drejtori i AKU Shkodër dhe inspektori i kësaj drejtorie, kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin e tij.
Njoftimi i policisë:
Shkodër / Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërive në fushën e aktiviteteve tregtare të paregjistruara në organet kompetente, goditen 4 raste.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Illegality”.
Prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar, vihet në pranga 55-vjeçari.
Gjithashtu, shpallet në kërkim një shtetas (Drejtori i AKU, Shkodër), si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër (Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, Shkodër), pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit.
Në vijim të planit operacional, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas që administronin aktivitete tregtare të paregjistruara në organet kompetente.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.
Në vijim, u referuan materialet, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gj. S. , 55 vjeç , banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, si dhe u referuan materialet për shtetasin A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin në pronësi të shtetasit V. Gj.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.