Kjo, duke e bërë atë një aktor qendror në Ballkanin Perëndimor dhe përfundimisht në të gjithë Evropën.
Për këtë qëllim, Pekin-i po ndjek një plan afatgjatë strategjie në Shqipëri që kalon në katër faza të mbivendosura.
Kështu shkruan Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), duke cituar autorin Bledar Feta.
Sipas CEPA-s, në fazën e parë, Partia Komuniste Kineze po përpiqet të konsolidojë një prani në zgjerim në ekonominë vendase.
Kjo, duke nxitur eksportet dhe investimet kineze.
Qëllimi këtu është që ekonomia e Shqipërisë të bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina, veçanërisht në industritë e ndjeshme, duke lejuar përfundimisht Pekinin të ndikojë në politikën shqiptare.
Në fazën e dytë, aktorët shtetërorë kinezë fokusohen në ndërtimin e themeleve të nevojshme për të lejuar Kinën të ushtrojë ndikim politik mbi liderët politikë dhe të biznesit shqiptarë, duke e bërë Kinën një aktor të rëndësishëm politik në vend.
“Edhe pse qasja kineze ndaj Shqipërisë fillimisht u përqendrua te ekonomia, përpjekjet e Pekinit për të kaluar në një fazë të re angazhimi me Tiranën kanë zbuluar dimensionin politik të modelit të biznesit të Kinës dhe objektivin e saj për t’i bërë politikat shqiptare në përputhje me interesat e Pekinit”, shkruan CEPA.
Qendra sqaron se faza e tretë e strategjisë së Kinës është të shtrihet gjerësisht në shoqërinë shqiptare, “nga poshtë-lart dhe nga lart-poshtë”.
Objektivi i kësaj faze është të nxisë një imazh pozitiv të Kinës në komunitetet shqiptare, të promovojë modelin politik dhe ekonomik të Pekinit dhe, mbi të gjitha, të formësojë narrativat lokale për marrëdhëniet Tiranë-Pekin.
Faza e katërt dhe e fundit fokusohet në përpjekjet e autoriteteve kineze për të fituar një profil më të lartë publik dhe media, për të prezantuar kënde dhe përmbajtje të reja mbulimi dhe për të ndikuar në perceptimet lokale në një masë shumë më të madhe.
Raporti vëren se Kina e ka futur veten në ekonominë dhe politikën e Shqipërisë.
Kjo, nëpërmjet investimeve të mëdha në transportin ajror, energji, bujqësi dhe miniera.
“Ndikimi ekonomik i Pekinit në Shqipëri rrjedh nga kreditimi, investimet dhe tregtia, duke përfshirë bashkëpunimet me aktorët kryesorë ekonomikë dhe rrjetet. Këto marrëdhënie nga ana e tyre krijojnë varësi nëpërmjet të cilave Kina fiton ndikim sistematik”, shton CEPA.
Sipas Bankës së Shqipërisë, IHD-të kineze përbëjnë 2.27 për qind të të gjitha IHD-ve në Shqipëri, krahasuar me Serbinë, ku IHD-të kineze janë 15.7 për qind.
Raporti thekson gjithashtu se disa politikanë të njohur në Shqipëri kanë fyer edhe Perëndimin dhe i janë drejtuar Kinës.
Konkretisht, presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë kryer sulme politike, diplomatike dhe personale ndaj ambasadores amerikane në Tiranë.
“Personalitetet vendase shqiptare që shohin interesat e tyre politike në një aleancë me Pekinin në vend të Perëndimit, mund të funksionojnë si zëdhënës lokalë për interesat kineze”, nënvizon më tej CEPA.
Megjithatë, Kina ende shet më mirë në vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, sesa në Shqipëri.
Shqipëria mbetet e ankoruar në orientimin e saj tradicional properëndimor, duke u përpjekur të shmangë çdo lloj depërtimi politik që mund të çojë në mbështetje të tepruar tek Pekini.