Aktori shqiptar Damazzeti me rol kryesor në “Blade in the Darkness”, filmi do të prezantohet në 39 festivale në botë

Gjithçka rrotullohet rreth historisë së katër miqve. Dy djem dhe dy vajza (italianë dhe shqiptarë) të cilët vijnë në Tiranë me idenë për të hapur një biznes dhe papritmas gjenden brenda vorbullës së kurthit të krijuar nga një bandë që trafikon kokainë dhe pikërisht kjo është pika kryesore që i bënë ata të përballen me një përbindësh të vërtetë. Një tematikë e tillë shpaloset përbrenda filmit “Blade in the Darkness” me regji të Alex Visanit

Filmi që i përket zhanrit aksion/horror dhe i cili ka nisur xhirimet qysh në muajin shkurt të vitit 2022 në qytetin e Tiranës, tashmë është përzgjedhur nga 39 festivale ndërkombëtare, ndërsa trailerin zyrtar të filmit mund ta shikoni

Njëri ndër aktorët kryesor që luan në këtë film është edhe aktori shqiptar Arnold Damazzeti. Ai në film luan rolin e Ilirit, një djalë i cili në jetën e tij të përditshme e kalon kohën midis restorantit që ka si biznes dhe palestrës që ai e do aq shumë. Për këtë rol, nëpërmjet një trajnimi tre mujor, Damazzeti ka arritur që të jetë në formën më të mirë të mundshme për xhirimin e skenave që inkuadrojnë përleshje fizike me disa nga pjesëtarët e bandës si dhe me përbindëshin që ka fuqi mbinatyrore.

Modestia, besnikëria, çiltërsia, përpikëria dhe bujaria janë karakteristikat të cilat përputhen me personazhin të cilin ai e luan. Ndërsa, ai në një intervistë  ka shpalosur disa detaje nga filmi si dhe ka ndarë momente përgjatë xhirimit në set, e që për të si aktor dhe njëkohësisht producent ekzekutiv i filmit, kanë qenë sfiduese.

“Na qëlloi të xhironim në katër javët më të ftohta të vitit. Temperaturat zbritën deri në -10 gradë, klimë që për ne në Tiranë është jo e zakonshme. Temperaturat në bunker ishin akoma edhe më të ulëta sesa ato jashtë dhe çdo ditë jemi përballur dhe me burokracinë e lejimit të xhirimit që rrezikoi të vononte xhirimet por më në fund ia dolëm. Tensioni dhe puna sidomos për mua që isha një ndër aktorët kryesor dhe producent në të njëjtën kohë, ishin shumë të mëdha por filmin e kemi realizuar me shumë pasion dhe shumë durim”, thotë Damazzeti.

Pjesëmarrja në këtë film për të ka ardhur si pasojë e regjisorit Alex Visani dhe punës së tij profesionale.

“Skuadra shqiptare që punoi me ne, në fillim nuk po kuptonte rëndësinë dhe kompleksitetin e filmit, por nga mesi i xhirimeve më treguan që ishte hera e parë që merrnin pjesë në xhirimin e një filmi artistik kaq të artikuluar dhe me një pjesëmarrje kaq të madhe në të gjitha aspektet. Tashmë me ta jemi bërë shumë miq të mirë dhe shpresoj shumë që të na jepet mundësia për të realizuar edhe filma të tjerë në të ardhmen”, shpalos tutje ai.

Gjithashtu, kur flasim për momentet më të veçanta që kanë ndodhur përgjatë xhirimeve të filmit si dhe disa nga mësimet më të mira që i ka mësuar përgjatë këtij rrugëtimi, ai ka kujtuar orët e vona dhe pa fund që kanë kaluar për të realizuar detajet në perfeksion dhe arritur efektet speciale me grim. Për këtë, ai ka thënë se një aktor duhet të jetë i armatosur mirë me një durim shumë të madh por që megjithatë sipas tij, çdo sekondë ka qenë i vlefshëm për të.

Ndërkaq, ai shprehet tejet mirënjohës ndaj kësaj eksperience sepse ka punuar me një grup ndërkombëtarë ku përveç shqiptarëve, janë përfshirë edhe pjesëmarrës italianë dhe gjermanë. Koordinimi me aktorët e tjerë dhe përmbushja e kërkesave të punës si aktor dhe njëkohësisht si producent ekzekutiv i filmit, për të ka qenë po ashtu një mësim më vete.

Krejt në fund, ai ka vlerësuar edhe kinematografinë shqiptare e që sipas tij, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë.

“Për të qenë i sinqertë, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në kuadër të produksioneve të filmave artistik. Për momentin kemi vetëm komedi, dhe e them me keqardhje por shohim vetëm filma të kopjuar nga vendet e tjera, ku nuk ka histori origjinale si në rastin e këtij filmi. Aktorët shqiptarë me të cilët kam punuar në këtë film janë aq të përgatitur sa të vjen vërtetë keq që nuk ekzistojnë skripte që mund të nxjerrin në pah kapacitetin e tyre si aktorë, siç beri për shembull regjisori Alex Visani në rastin konkret”, ka thënë Damazzeti.

Në film luajnë: Manuela Arcuri, Francesco Rossini, Arnold Damazzeti, Lorenzo Lepori, Ermir Jonka, Ilirda Bejleri, Joli Emiri, Ismail Shino, Xhino Musollari, Edvin Mustafa, Elidon Alika, Ingrid Monacelli, Endrit Ahmetaj, Lurcrezia Calogero, Lavinia Pinchi, Mario Bali, Stiv Osmanaj, Matia Çobanaj.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *