Një agjent i Forcave të Posaçme Operacionale ka rënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi akuzohet se i ka ofruar ndihmë dhe ka transportuar të shumëkërkuarimn Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, kanë arrestuar 28-vjeçarin Jeton Lami, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Lami dyshohet se ka përkrahur dhe transportuar me makinë Martinajn, ndërkohë që nuk jepen detaje në lidhje me datën. Ndaj Lamit rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa ndaj tij është caktuar masa ‘Arrest me burg’.
“Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin.”, thuhet në njoftimin e policisë.