Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet gjatë këtij sezoni turistik. Gjatë kësaj periudhe, Policia Rrugore e Durrësit ka pezulluar 40 leje drejtimi, nga të cilat 4 për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit dhe 36 për drejtim të automjetit me shpejtësi tej normës së lejuar.
Gjithashtu janë vendosur edhe 1186 masa administrative ndaj shkelësve të Kodit Rrugor.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore, krahas masave të shtuara për menaxhimin e fluksit gjatë sezonit turistik, vijon kontrollet e pandërprera për parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjatë një jave, si rezultat i shtimit të kontrolleve dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, 1 për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe 1 tjetër për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, janë pezulluar 40 leje drejtimi, nga të cilat 4 për drejtim të automjetit, nën efektin e alkoolit dhe 36 për drejtim të automjetit, me shpejtësi tej normës së lejuar.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 1186 masa administrative, për shkeljet si më poshtë:
- 253 masa administrative, për parakalim të gabuar;
- 39 masa administrative, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;
- 71 masa administrative, për mospërdorim të rripit të sigurimit;
- 322 masa administrative, për qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar;
- 176 masa administrative, për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
- 3 masë administrative, për mungesë të siguracionit të mjetit;
- 4 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, si dhe
- 318 masa administrative, për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Durrësit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.