Evropa u përball me perspektivën e një katastrofe nga rrezatimi të enjten e 25 gushtit kur centrali i Zaporizhzhia-s u shkëput nga rrjeti energjetik i Ukrainës.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kujtojmë që ky objekt është nën kontrollin e forcave ruse prej disa muajsh.
Zelensky sqaroi se katastrofa u shmang vetëm për shkak të furnizimit me energji elektrike rezervë.
Centrali i Zaporizhzhia-s ishte në gjendje që të funksiononte në mënyrë të sigurt.
Zjarret kishin dëmtuar më parë linjat e energjisë elektrike, duke ndërprerë funksionimin e centralit.
Kompleksi ukrainas i Zaporizhzhia-s është centrali bërthamor më i madh në Evropë.
Dëmi u shkaktua nga zjarret për të cilat agjencia shtetërore bërthamore e Ukrainës tha se kishin ndërhyrë në linjat e energjisë.
Kjo bëri që Zaporizhzhia të shkëputej nga rrjeti kombëtar për herë të parë në historinë e saj.
Imazhet satelitore të marra të mërkurën treguan një zjarr të gjerë që digjej në afërsi të kompleksit bërthamor.
Zelensky fajësoi për dëmin bombardimet ruse dhe në fjalimin e tij akuzoi Moskën zyrtare se vendosi Ukrainën dhe Evropën “një hap larg” nga katastrofa.
Guvernatori lokal i emëruar nga Rusia, Yevgeny Balitsky fajësoi ushtrinë ukrainase për sulmet, duke i akuzuar ata për ndërprerjen e energjisë.
Nivelet e rrezatimit mbetën normale pavarësisht se kompleksi bërthamor i Zaporizhzhia humbi furnizimin kryesor me energji të enjten, njoftuan zyrtarët lokalë.
Centrali bërthamor furnizon një të pestën e totalit të energjisë elektrike të Ukrainës.
Shkëputja e vazhdueshme e tij nga rrjeti kombëtar do të përbënte një sfidë serioze për Ukrainën