PD denoncon me emra në KAS personat që pretendohet se blenë vota në Gjirokastër: Kanë lidhje me Shullazin

Partia Demokratike ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit. Në mbledhjen e KAS, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso tha se në fushatën e PS-së janë angazhuar persona të njohur si pjesëtarë të bandës së Emiljano Shullazit. Emrat që dha PD janë ato të Arianit Arapit dhe Ermir Gërxhanit, të cilët njihen për lidhjet që kanë patur me bandën e Shullazit dhe elementë të tjerë kriminalë, si dhe janë mbrojtur nga ish-ministri Tahiri dhe janë emëruar drejtues Fushate në Gjirokastër nga Bledi Çuçi.

“PS në qarkun e Gjirokastër kishte drejtues politik Bledar Çuçin, i renditur i katërti në listën shumëemërore. Drejtori i Fushatës ishte shtetasi Arianit Arapi, ish-shefi i Policisë, i hetuar për lidhje me drogën dhe bandën famëkeqe të Shullazit. Lidhja mes Çuçit dhe Arapit daton që nga viti 2017, kohë kur Çuçi kandidonte si deputet për qarkun e Gjirokastrës dhe Arapi mbante funksionin e drejtorit të Policisë së qarkut të Gjirokastrës duke u përfshirë drejtpërdrejtë në manipulimin e votave. Sipas informacioneve zyrtare të SHISH dhe Policisë së Shtetit, ky shtetas në bashkëpunim me Andrea Çaushin, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Kalivaç të Tepelenës, madje kanë penguar forcat policore për të monitoruar këtë zonë. Ky shtetas së bashku me persona me rekorde të rënda kriminale nga Fushë-Kruja, të lidhur me bandën e Shullazit, si dhe me bashkëpunimin e drejtorit të Policisë Përmet, Ermir Gërxhani kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në Përmet.

Një tjetër person me rekorde kriminale është vëllai i kryetarit të PS Tepelenë, Dino Selimi, i cili ka shërbyer si transportues për narkotikët nga zonat malore të Tepelenës në qytetin bregdetar të Vlorës. Sokol Feruni është një tjetër person me rekorde të tmerrshme kriminale për kultivimin e narkotike që është përfshirë drejtpërdrejtë në fushatën e Bledar Çuçin. Ky shtetas në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe shtetasin Andi Shkurta janë të njohur për lidhjet e tyre kriminale. Për shkak të lidhjeve të mësipërme këta shtetas kanë zbatuar një skemë kriminale të blerjes së votës. Siç jemi në dijeni në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Tahiri, prokurorët e Krimeve të Rënda dërguan në gjykatë një pjesë të anëtarëve të grupit, por shpëtuan Arianit Arapi dhe Ermir Grexhani, që ishin drejtues të policisë Gjirokastër dhe Përmet. Në shkurt të 2021 Arianit Arapi pasi ishte larguar nga Policia e Shtetit për shkak të lidhjeve me element kriminal, u emërua këshilltar i Ministrit të Brendshëm dhe drejtues i Fushatës së PS në Gjirokastër”, tha përfaqësuesi i PD.

Më tej PD-ja theksoi se ka pasur probleme me shitblerjen e votës dhe presione ndaj administratës për të votuar për PS-në.

“Shteti u vendos në shërbim të partisë dhe ne kemi depozituar 12 prova për qarkun e Gjirokastrës. Në 24 raste të denoncuara, deputetët e PS në Gjirokastër promovuan investime publike në periudhën para zgjedhjeve. Ministrat vazhduan me angazhimet e tyre gjatë fushatës duke u shfaqur me maska dhe bluza me numrin 12. Gjatë fushatës u konstatuan raste të shumta që janë denoncuar se në të gjitha nivelet e administratës ishin përfshirë në fushatë duke mbështetur kandidatët e Partisë Socialiste. Nëpunësit civilë u vendosën në presion për të mbështetur PS në të kundërt do të shkarkoheshin nga puna. Dhënia e kartave të identitetit apo të dhënave të tjera personale, pëlqimi apo shpërndarja e postimeve të PS. Nëpunës të niveleve të ulëta dhe të mesme kanë denoncuar presionin e vazhdueshëm të eprorëve të tyre. Presionet ndaj nëpunësve publikë u evidentuan edhe nga OSBE”, tha përfaqësuesi tjetër i PD-së, Logu.

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *