Kreu i Komuniteti Mysliman, Bujar Spahiu ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë. për festën e Fiter Bajramit. Në një postim në Facebook, Spahiu ka thënë se gjatë muajit të Ramazanit ai ka takuar shumë persona që agjëronin, të cilët i kishin thënë për ndjesitë që kishin ndjerë gjatë agjërimit. Ai gjithashtu tha se i është lutur Zotit që të mishëronte të sëmurët dhe të ndihmojë të gjithë personat e varfër.
Mesazhi i plotë:
Të dashur besimtarë myslimanë dhe shqiptarë kudo që ndodheni, më lejoni t’ju uroj nga zemra gëzuar Fitër Bajramin.
Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën 30 ditore, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi.
Bajrami është festë, është gëzim që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër.
Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi vazhdimisht për një shoqëri të drejtë e solidare.
Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë, ndërsa solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramin të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.
Gjatë këtij muaji kam patur fatin të njoh shumë njerëz që agjëronin për herë të parë, të gjithë më kanë pohuar se ndienin një gjendje shpirtërore, morale e fizike të pa përshkrueshme me fjalë.
Ky është ramazani, ky është agjërimi për hir të Zotit tonë!
Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na e ketë pranuar këtë sakrificë, të na ketë falur gjynahet, të ketë shtuar begatinë, paqen dhe mëshirën e Tij të pakufishme mbi çdo zemër e cila ka sakrifikuar në emër të Zotit!
I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më!
T’u japë shërim dhe ti lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri!
Për më të varfërit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë, O Zot largojua barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja.
I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal, dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë!
Paçim të gjithë sëbashku sa më shumë mbarësi e begati në familjet tona dhe në vendin tonë të dashur, Shqipërinë.
Shëndet e mirësi për secilin!
Gëzuar!
H. Bujar Spahiu
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë